Gjermania shton masat e sigurisë për kampionatin “Euro 2024”

schedule17:14 - 4 Qershor, 2024

schedule 17:14 - 4 Qershor, 2024

Ministrja e Punëve të Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, ka bërë të ditur se do të rritet siguria duke marrë masa shtesë në qytetet e mëdha gjermane për Kampionatin Evropian të Futbollit (EURO 2024), i cili do të fillojë më 14 qershor.

Faeser dhe ministri i brendshëm i rajonit Rhine-Westphalia Veriore, Herbert Reul, në një konferencë për media vlerësuan situatën e fundit të qeverisë federale dhe rajonale për përgatitjet e kampionatit të futbollit që do mbahet në Gjermani.

“Gjatë kampionatit policia do të ushtrojë kontrolle në të gjithë kufijtë gjermanë, do të marrë masa për të mbrojtur aeroportet dhe stacionet e trenit. Jemi shumë të kujdesshëm dhe të përgatitur”, tha Faeser.

Faeser theksoi se autoritetet gjermane kanë marrë masa shtesë edhe kundër sulmeve të mundshme terroriste, sulmeve kibernetike, veprimeve të dhunshme të huliganëve dhe kundër veprave penale.

Ajo tha se autoritetet federale do të koordinojnë nga afër masat e sigurisë me autoritetet lokale.

“Po presim me padurim që të zhvillojmë organizimin e Kampionatit Evropian të Futbollit në vendin tonë. Presim që në stadiume të jenë 2.7 milionë njerëz, ndërsa në zonat e tifozëve rreth 12 milionë njerëz”, shtoi ajo.

Nga ana tjetër, Reul njoftoi se një aktiviteti sportiv me këto përmasa nuk është vetëm një festë futbolli, por në të njëjtën kohë edhe një sfidë në aspektin e politikës së sigurisë.

Turneu më i madh i futbollit në Evropë do të fillojë më 14 qershor me ndeshjen që do të luhet në Mynih mes Gjermanisë dhe Skocisë. Ndërsa finalja do të mbahet në Olympiastadion në Berlin më 14 korrik.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!