Leicester City është surpriza më e bukur e këtij sezoni në Premier League. Ekipi i Brendan Rodgers renditet për momentin në vend të dytë dhe ndodhet 5 pikë larg Liverpoolit kryesues. Vetëm Manchester City ka shënuar më shumë se Leicesteri, ndërsa Jamie Vardy kryeson renditjen e golashënuesve me 11 gola të shënuar.
32-vjeçari tregon sekretin e kësaj forme në një prononcim për BBC, teksa nuk e përmend fjalën titull. “Dhelprat” e provuan suksesin e madh tre vite më parë, por sivjet është ndryshe dhe kampionati është ende i gjatë.
“Ky është sezoni më i mirë që po zhvilloj në karrierën time, por kemi ende rrugë për të bërë. Jam gjithmonë i gatshëm për të mësuar, trajneri ‘shpik’ gjithmonë taktika të reja dhe gjithmonë jap 100% nga vetja. Puna e madhe po jep frytet e veta.
Kemi shumë kreativitet në krahë dhe kjo e ndihmon shumë skuadrën, sidomos ne sulmuesit. Titulli? Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Sezoni sapo ka nisur dhe është i gjatë akoma. Po zbavitemi shumë, fitoret na e mundësojnë diçka të tillë“, përfundon bomberi i Leicester City. /abcnews.al