TIRANË- Opozita, grupi i Rithemelimit të PD-së, ka vendosur që të protestoje të enjten, para Parlamentit, ndërsa do të jetë duke u zhvilluar seanca plenare.
Vendimi erdhi pasi televizioni “RAI 3″ transmetoi të dielën në mbrëmje një dokumentar për Shqipërinë, ku mes të tjerash bazuar në disa deklarata të ish-zv-kryeministrit Arben Ahmetaj, në Kryeministri hynin njerëz të botës së krimit.
Këtë të hënë kreu i shumicës së deputetëve në opozitë, Gazment Bardhi përmes rrjeteve sociale tha se “Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të kërkojë zhvillimin e një debate parlamentar të enjten mbi këtë çështje, duke ushtruar përgjegjësitë e tij në raport me interesin publik dhe duke nxitur një debat real parlamentar për masat që duhet të marrë Kuvendi i Shqipërisë për prerjen e lidhjeve të krimit të organizuar me qeverisjen. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen”.
Kërkesën e dorëzoi me pas zyrtarisht në Kuvend. Nëse ky mocion do të pranohet, duket se opozita do të reagojë jo vetëm në parlament, por edhe në rrugë./ abcnews.al