Nuk do të ketë dëshmi të personit i cili me informacionet e tij nisi hetimet për rrëzimin nga pushteti të presidentit amerikan Donald Trump. Kjo sepse provat e mbledhura janë të mjaftueshme dhe nuk ka arsye që të rrezikohet siguria e tij personale duke u bërë një personazh publik.
Burimi i cili u bë shkak për nisjen e hetimeve për rrëzimin nga posti të presidentit amerikan Donald Trump, nuk do të thërritet për të dëshmuar, ashtu si kanë kërkuar republikanët. Lajmi është konfirmuar nga presidenti i komisionit të inteligjencës në Kongresin Amerikan.
Adam Shif u shpreh se dëshmia e tij do të ishte sipërfaqësore dhe e padobishme, pasi provat e mbledhura deri tani janë më se të mjaftueshme. Gjithashtu në rast dëshmie, siguria e tij do të vihej në rrezik nga kërcënimet e kreut të shtëpisë së Bardhë.
Hetimi për rrëzimin e presidentit Trump ka mbledhur shumë prova – nga dëshmitë deri tek dokumentet, përfshirë dhe fjalët e vetë Trump në telefonatën e 25 korrikut – që jo vetëm konfirmojnë por i tejkalojnë informacionet e para të burimit. Për këtë arsye dëshmia e tij do të ishte e kotë. Dhe duke pasur parasysh kërcënimet e presidentit, shfaqja e tij në publik do të vinte në rrezik sigurinë e tij personale, përfundoi Shif deklaratën e tij. /abcnews.al