Hapet shkolla e Biçikletave në Tiranë, Veliaj: Më e madhja në Ballkan, do i shërbejë të gjithëve

schedule14:57 - 1 Qershor, 2024

schedule 14:57 - 1 Qershor, 2024

Me rastin e festës së 1 Qershorit, në Tiranë u përurua shkolla e Biçikletave, e cila do të shërbejë si një hapësirë ku fëmijët do të mësojnë pedalimin dhe rregullat e qarkullimit rrugor. Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kurset do të zhvillohen gjatë paraditeve, ndërkohë që pasdite ambienti do të jetë i hapur për të gjitha moshat, duke përfshirë këtu edhe prindërit apo gjyshërit, që duan të shoqërojnë fëmijët, teksa ata pedalojnë.

“Gjatë paraditeve ne do i kemi të gjitha kurset e biçikletave këtu, bashkë me instruktorët sipas shkollave. Do i organizojmë klasat dhe shkollat, që të mos kemi rrëmujë, dhe do e trajtojmë si një orë mësimi, mësimin e biçikletës dhe rregullat e qarkullimit rrugor, ndërkohë që pasdite do të jetë e hapur për të gjithë, nga mosha 1 vjeç deri në moshën 101 vjeç. Nëse dikush vjen me gjyshin, me gjyshen, ka një vend edhe për t’u ulur. Ne duam që të jetë një ambient për të gjithë, ku pjesën më të madhe e kanë fëmijët”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se kjo është zyrtarisht shkolla e biçikletave më e madhja në Ballkan. Ai tha se në 8 vite, Bashkia e Tiranës është përballur gjithmonë me një grup njerëzish që duan ta pengojnë qytetin të shkojë përpara, por nuk është dorëzuar në asnjë moment. Veliaj shtoi se sot, që Tirana është në ditët e saj më të mira, fokusi do të vijojë të mbetet tek fëmijët.

“Kjo është zyrtarisht shkolla e biçikletave më e madhe në Ballkan, 10 mijë metra katrorë. Ju kujtohet protesta te Kodrat e Liqenit kundër këndit të lodrave?! I njëjti grup njerëzish sot janë me molotovë, dje ishin me pistoletë. Ka tetë vite, në çdo punë të bashkisë së Tiranës, vetëm të pengojë, vetëm të bllokojë. Pas 8 vitesh që ne kemi bërë 41 shkolla, 101 kopshte dhe çerdhe, kemi sot 81 kënde lodrash në çdo lagje të Tiranës, jo vetëm që nuk dorëzohemi, por kemi energji për të shkuar më tej dhe për të bërë punë shumë herë më të mira. Fëmijët mund të jenë 20% e popullsisë, por janë 100% e të ardhmes tonë. Dhe një qytet që nuk mendon për fëmijët, është një qytet që nuk mendon për të ardhmen. Edhe në kushtet më të vështira, logjika e familjes tonë ka qenë fokusi te fëmijët. Sot që Tirana është në ditët më të mira të veta, është absolutisht koha për ta mbajtur fokusin te fëmijët”, deklaroi Veliaj.

Drejtoresha e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Anisa Ruseti se shkolla e Biçikletave do të funksionojë për t’i mësuar fëmijëve praktikën mësimore dhe më pas edhe praktikën në rrugë duke i certifikuar ata si çiklistë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!