Armenia ia ka kthyer Azerbajxhanit katër fshatra kufitare, të cilat i kishte marrë nën kontroll dekada më parë. Ky njoftim, që u konfirmua nga Armenia më 24 maj, shihet si një hap kyç drejt normalizimit të raporteve mes dy rivalëve të kamotshëm.
Vendimi ka nxitur protesta në Armeni, por paraqet një lëvizje të rëndësishme drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes, pasi bisedimet të ndërmjetësuara nga Rusia dhe shtetet perëndimore, për vite të tëra nuk kanë dhënë rezultate.
Dy shtetet e Kaukazit kanë zhvilluar dy luftëra, në vitet ’90 dhe më 2020, për kontrollin e rajonit të shkëputur të Nagrono-Karabakut.
Vitin e kaluar, Azerbajxhani e rimori këtë rajon përmes një ofensive të shpejtë, duke i dhënë fund sundimit prej tri dekadash nga armenët etnikë dhe duke bërë që më shumë se 100.000 banorë lokalë të largoheshin për në Armeni.
Humbja e Jerevanit nxiti mosmarrëveshje me aleaten historike, Rusinë, të cilën Armenia e akuzoi se ka dështuar që ta mbrojë nga kërcënimet e Azerbajxhanit, pavarësisht obligimeve të Moskës që dalin nga një traktat i sigurisë.
Pas muajsh të tensioneve diplomatike, Moska më 24 maj njoftoi se kishte thirrur ambasadorin e saj “për konsultime”. Ministria e Jashtme ruse nuk dha detaje për këtë vendim, i cili në diplomaci shihet si hap ekstrem që ndërmerret në rast kur dy shtete përkeqësojnë raportet.
Forcat e sigurisë të Armenisë njoftuan më 24 maj se rojet kufitare kanë zënë pozicione të reja në lindje të shtetit, duke respektuar marrëveshjen e arritur për demarkimin e kufirit, që përfshin dorëzimin e kontrollit tek autoritetet azerbajxhanase të disa fshatrave.
Ndaras, zëvendëskryeministri i Azerbajxhanit, Shahin Mustafayevm njoftoi të premten se rojet kufitare azerbajxhanase kanë marrë kontrollin e katër vendbanimeve.
Në mars, kryeministri armen, Nikol Pashinian, u pajtua që të kthente te Azerbajxhani kontrollin e katër fshatrave të braktisura, të cilat Armenia i kishte marrë në vitet ’90, si pjesë e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për paqe të qëndrueshme. /REL