Dominim shqiptar në rajon. Deçiçi i Tuzit ia doli të shpallet kampion në ligën elitare të futbollit në Malin e Zi, duke nisur festën një javë para fundit të sezonit të rregullt.
Skuadra shqiptare dominoi këtë sezon dhe hapi shampanjën e titullit pas suksesit me rezultatin minimal 0-1 në transfertën ndaj Sutjeskës, ku për më shumë se një pjesë luajti me një futbollist më pak.
Fitorja e skuadrës shqiptare të Tuzit, e shoqëruar edhe me humbjen e Buducnostit në shtëpi, bëri që Deçiç të ngjitet në kuotën e 67 pikëve, 6 më shumë se kryeqytetasit malazezë dhe të shpallet zyrtarisht kampion një javë para fundit.
Ky është titulli i parë kampion në histori për skuadrën e Deçiçit, që për herë të parë në elitën e futbollit malazez ka debutuar në sezonin 2006-2007. Deçiçi i Tuzit është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke u renditur gjithmonë në nivele të larta në futbollin malazez, teksa këtë sezon shënoi edhe emrin në librin e artë të fituesve.
Krahas Deçiçit në Malin e Zi, edhe në Maqedoninë e Veriut triumfoi një skuadër shqiptare, Struga, e cila fitoi titullin e dytë kampion radhazi. Edhe në Ligën e Dytë maqedonase festa është shqiptare, pasi kampione u shpall skuadra e Besës së Dobërdollit, një krahinë shqiptare pranë qytetit të Gostivarit. /i.m /abcnews.al