KRUJË- Hike Kaci po i afrohet të 100-ave, por pavarësisht moshës dhe pamundësive fizike vazhdon të kujdeset për tokat dhe kafshët e shtëpisë. Me bastunin që nuk e ndan asnjë moment nga duart 97-vjeçaren e gjen çdo ditë në serat dhe arat pranë banesës së saj në Krujë.
Nuk dëshiron të lërë djerrë asnjë pëllëmbë toke, ndaj edhe me ndihmën e fëmijëve i ka mbjellë të gjitha me perime të ndryshme.
Nëse do të mundej fizikisht thotë se do të punonte edhe më gjatë, megjithatë nga kujdesi për tokat nuk do të heqë dorë deri në ditën e fundit të jetës.
Gjatë jetës së saj, gati 1 shekullore, është përballur me shumë vështirësi por dhurata më e bukur kanë qenë 10 fëmijët.
Sot ka plot 70 nipër dhe mbesa që ia gëzojnë ditën me dashurinë dhe përkujdesjen që tregojnë ndaj saj. 97-vjecarja nga Kruja merr një pension minimal dhe për t’ia dalë mbanë e ndihmojnë fëmijët. Nga shteti kërkon më shumë vëmendje ndaj moshës së tretë që për shoqërinë kanë dhënë një kontribut të çmuar./ abcnews.al