Cilat prona mund të rivlerësohen/ Nunaj: Azhornimi i tregut do i jap frymë ekonomisë. Demirxhiu: Nisma do ndihmojë edhe pronat luksoze

schedule20:36 - 17 Maj, 2024

schedule 20:36 - 17 Maj, 2024

Një draft ku qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësi që të rivlerësojnë pasuritë e paluajtshme duke paguar më pak taksë, është dorëzuar në Kuvend. Ai parashikon që në rastet e shitjes së pasurive të paguhet 3% nga 15% që është aktualisht vlera e tatimit. Synimi i këtij projektligji është rivlerësimi i pasurive të paluajtshme për të gjithë individët deri në datën 31 qershor 2025.

Lidhur me këtë është diskutuar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, mes vlerësuesit të pasurive të paluajshtme, Ervin Demirxhiu dhe ekspertes për ekonominë, Teuta Nunaj.

Sipas, Nunaj, azhornimi dhe formalizimi i tregut do i japin frymë ekonomisë.

Ndërsa, Demirxhiu ka thënë se nisma do ndihmojë gjithë tregun, edhe pronat luksoze me çmime të larta. Sakaq, ai ka theksuar se është e nevojshme të ketë fushata informimi për qytetarët.

Demirxhiu: Do të ndihmonte shumë prona dhe të gjitha ato që nuk hidheshin në treg sepse paguanin shumë taksa. Ose do të nxirreshin me çmimin e klientit plus taksave, me rivleresime të këtyre pronave do të hidhen në treg dhe do të kenë një çmim të përcaktuar.

Bizneset për llogaritë e tyre i kanë realizuar këto pika të pronave, ndryshe nga individët që i kanë lënë pas dore.

Unë mendoj që duhet të ketë dhe një fushatë informimi për të gjithë qytetarët, pavarësisht se mund të ketë disa kosto. Edhe unë i them rivlerësojeni pronën dhe silleni në vlerën e tregut për të qenë i qetë më vonë.

Nunaj: Shqiptarët do të duhet të formalizojnë gjithçka që kanë, qoftë në mënyrë legale, qoftë në mënyrë ilegale.

Ajo ç’ka unë shikoj shumë themelore është formalizimi i tregut dhe azhornimi, se do t’i japi shumë frymë ekonomisë. Edhe sa më shumë të formalizuara të jenë pronat në Shqipëri do të rritet turizmi.

Në këtë rast do të themi që të  gjitha këto politika që ndërrmerren për të nxitur lëvizshmërinë e tregut ose për të eleminuar të gjithë atë bllokimin e atyre pasurive që janë fizike dhe sidomos në rastin e apartamenteve që janë fizike,  por njëkohësisht janë të bllokuara, nuk përdoren ose që janë stok, mund të nxisin dhe një zvogëlim të kësaj gjendje stok. Nëse do të flasim për një periudhë, unë mendoj se një vit është një periudhë e mjaftueshme që çdo invididë të rivlerësojë pronën e tij dhe ai e ka këtë mundësi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!