Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas vetëdorëzimit në polici të Azgan Mërnicës, autorit të vrasjes të efektivit të “Shqiponjave”, Novruz Cenaliaj.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla u shpreh se tanimë pritet që drejtësoa të bëjë detyrën.
Balla shtoi se kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit dhe nuk mund t’i shmanget dot kurrë ndëshkimit.
“U prehsh në paqe Novruz i dashur! Bashkë me familjen tënde, kolegët e tu të Policisë së Shtetit dhe mbarë shoqërinë tani presim nga drejtësia të bëjë detyrën. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit dhe nuk mund t’i shmanget dot kurrë ndëshkimit”, shkruan Balla në Facebook.
Mërnica ishte shpallur në kërkim prej tre ditësh nga policia, pasi ai u arratis nga vendi ku ndodhi ngjarja, në fshatin Baltëz të Fierit. Mësohet se Mërnica fshihej në Dërmenas.
Policia e kishte lokalizuar dhe i kishte thënë familjarëve të Azgan Mërnicës që të vetëdorëzohet, ndryshe do të neutralizohej.
Këtë të mërkurë, Cenaliaj u përcoll për në banesëne fundit. Homazhet për të u zhvilluan në Teatrin “Bylis” në Fier.
Dyshohet, se Novruz Cenaliaj 28 vjeç, veshur me uniformën e policit pati një konflikt të momentit me Azgan Mernicën.
Dy të rinjtë, banues në të njejtin fshat, u konfliktuan verbalisht dhe më pas fizikisht për kalimin në rrugën e ngushtë që po përshkonin me makinë.
Gjatë konfrontimit, 23 vjeçari e ka qëlluar me një plumb në kokë efektivin duke i shkaktuar vdekjen./abcnews.al