Një ngjarje e rëndë ndodhi pak ditë më parë në Fier, ku mbeti i vrarë efektivi i Shqiponjave, pas një konflikti. Ishte 23-vjeçari Azgan Mernica që qëlloi me armë zjarri, policin, duke e lënë të vdekur.
Zëvendës ministri i Brendshëm Besfor Lamallari, u shpreh i bindur se autori i këtij krimi do të vendoset para drejtësisë, ndërsa dënoi ngjarjen e rëndë duke thënë se sulmi ndaj një punonjësi të policisë është sulm ndaj shtetit.
“Sa herë që vihet dorë mbi një punonjës të policisë është sulm ndaj shtetit. Sepse kushdo që mban uniformën është aty për të garantuar ligjin dhe për të mbrojtur qytetarët. Shoqëria shqiptare duhet të vlerësojë punonjësin e policisë së shtetit sepse ai është aty për të mbrojtur jetën e qytetarit. Personi do të gjendet arrestohet dhe do të vendoset para drejtësisë”, tha ai.
Lamallari u pyet edhe për ngjarjen e Durrësit, ku Aleks Marku, 40-vjeç mbajti peng fëmijët e tij të mitur. Zëvendësministri i Brendshëm tha se policia dhe RENEA dëshmuan efikasitet me ndërhyrjen e tyre.
“Forcat RENEA janë skuadra elitë dhe përballen me rreziqe imediate. Ky rast dhe raste të ngjashme kanë dëshmuar se policia e shtetit ka aftësi për të menaxhuar situata të tilla”, tha ai.