Shqipëria pati një short të vështirë në paraqitjen e saj të dytë në një Kampionat Europian. Italia, kampione në fuqi e turneut, Spanja dhe Kroacia e bëjnë të ndërlikuar situatën e kuqezinjve të drejtuar nga Sylvinho.
Gjithsesi trajneri i Kombëtares në një intervistë për revistën “World Soccer” thotë se një aktivitet i tillë mund të ketë të papritura.
“Çdo gjë mund të ndodhë në një turne të jashtëzakonshëm si ky dhe që zhvillohet në një kohë kaq të shkurtër. Do të jetë një muaj intensiv kur të gjithë ekipet do të japin maksimumin e tyre në arritjen e objektivave”, tha Sylvinho.
Shqipëria e nis ndaj Italisë më 15 Qershor në Dortmund. Sylvinho pavarësisht kundërshtarit të fortë beson te dëshira e lojtarëve që drejton.
“Do të jetë kundër një Italie të fortë, që mbron titullin e kampionit të Europës të fituar nën drejtimin e mikut tim Roberto Mancini. Sot Italia drejtohet nga një trajner tjetër i madh dhe ata e kanë lojtarë shumë të mirë. Do të na duhet shumë sakrificë, por unë u besoj lojtarëve të mi”, tha ai.
Në artikullin e revistës së njohur sportive veçohet ndryshimi stilit të lojës së Shqipërisë nga mbrojtës me një prespektivë më të madhe nga sulmi. Kombëtarja para Europianit do të ketë një fazë përgatitore edhe 2 miqësore me Lihtenshtejnin e Azerbajxhanin./ h.ll/abcnews.al