Topçiu: Klubet kanë borxhe! Dënimet? FSHF nuk bën dot policin

schedule23:49 - 7 Nëntor, 2019

schedule 23:49 - 7 Nëntor, 2019

Aldi Topçiu, drejtor juridik në FSHF, është një nga të ftuarit në emisionin “Pressing” në ABC News. “Futbolli shqiptar ka probleme, nuk luhet diku jashtë në mënyrë perfekte, por në shoqërinë shqiptare. Nëse kanë borxhe bizneset, normalisht kanë dhe klubet shqiptare”.

DËNIMET – “Mund t’iu them se ka qenë shumë i mirëpritur vendimi ynë për dy ekipet e dënuara (derbi Tirana-Partizani). Ka pasur një lloj falënderimi, për identifikimin e atyre tifozëve individuale. Nëse mbyllet i gjithë stadiumi, është një goditje financiare për klubin. Dje mos gaboj, Komisioni i Disiplinës ka marrë një vendim të ngjashëm për Vllazninë, u mbyll vetëm tribuna VIP. Kjo gjë tregon se një pjesë e presionit, e atyre shkeljeve, vjen nga tribuna VIP. Mbyllja e tribunës VIP e shoh shumë simbolike. Tani që jemi në prag të çeljes së Arenës Kombëtare, të gjithë duan një biletë në stadium, te tribuna VIP.

Federata ka një rreth të caktuar për vendimet që merr. Unë nuk marr përsipër të bëj policin, prokurorin apo gjyqtarin. Federata mban përgjegjësi për atë që ndodh në stadium dhe rreth stadiumit. I takon policisë të marrë masa individuale për personat që kryejnë shkelje. Unë do doja t’iu kujtoja se kjo javë ka qenë shumë e “nxehtë”, qoftë dhe në Kategoritë e ulëta. Ka pasur rreth 30 çështje dhe do t’i kërkoja policisë të ishte më aktive në ndjekjen e tyre dhe duhet t’i bëjnë publicitet çdo rasti që ndjekin, në mënyrë që të bëhet shembull dhe të ndërgjegjësojnë çdo njeri”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!