Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me betimin e saj në parlament, pasi fitoi zgjedhjet më 8 maj, rindezi një debat të vjetër.
Në vend të “Maqedonia e Veriut”, siç është emri i ri i vendit pas marrëveshjes me Greqinë, ajo përdori emrin “Maqedoni”.
Kjo ka sjellë reagime jo vetëm të kryeministrit grek Kyriakos Mitostakis, i cili e cilësoi si provokim nga presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, por reagime ka pasur nga BE si edhe nga Bullgaria, të cilët kanë bërë thirrje që të respektohet marrëveshja e Fqinjësisë së mirë.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut në një reagim zyrtar, konfirmon se vendi do të respektojë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe marrëveshjen e Prespës të nënshkruar me Greqinë.
“Ministria e Punëve të Jashtme konfirmon orientimin e qartë të vendit në respektimin pa mëdyshje të dispozitave kushtetuese si dhe të të gjitha obligimeve të ndërmarra ndërkombëtarisht, si respektimi i plotë i Marrëveshjes për Partneritet Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, e njohur si Marrëveshja e Prespës. Gjatë shtatë viteve të fundit, dy vendet fqinje kanë zhvilluar një nivel jashtëzakonisht të lartë të dialogut politik, i cili ka rezultuar në një rritje të disafishtë të bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive mes qytetarëve. Këto përfitime rezultuan me anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe avancimin e Partneritetit Strategjik në Dialog Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.
/abcnews.al/