Projektligji për shëndetin riprodhues e nënat “me qira”/ Koçiu: Nuk ka qëllim komercial!

schedule20:13 - 7 Maj, 2024

schedule 20:13 - 7 Maj, 2024

Ligji për shëndetin riprodhues është një domosdoshmëri për të azhornuar në ligj me të rejat e kohës. Kështu deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, gjatë një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News.

Ministrja ftoi të gjithë ata që kundërshtojnë surrogacinë, krahas kundërshtimit në mënyrë që të japin edhe sugjerimet e tyre.

Në lidhje me abortin, Koçiu theksoi se në të gjitha rastet nuk mund të ndodhë pa praninë e prindit apo pa konsensusin e kujdestarit ligjor.

Pjesë nga intervista:

Keni nisur punën me një nismë shumë të fortë ligjore, për nënat ‘surrogate’. Një temë shumë e debatueshme. Mund të jetë një shteg plus për abuzim? Pse e bëtë këtë nismë?

Koçiu: Së pari duhet të kuptojmë që ky draft ligj që ne kemi hedhur për konsultim publik i referohet dy legjislacioneve që janë të vjetra, një në 1995 dhe tjetri në 2002. Kushtet, koha ka ardhur që është një domosdoshmëri e kohës për të azhornuar me të rejat e kohës. Në këtë kuadër ajo që ekspertët e ministrisë së Shëndetësisë kanë punuar është për të sjellë një kuadër ligjor, që rregullon dhe i vjen në ndihmë, për e theksoj arsye shëndetësore, të gjithë atyre të pamundurve. Pra, që nga ana shëndetësore nuk kanë mundësi të sjellin në jetë një fëmijë, t’i japim një mundësi. Çfarë sjell ky ligj është që krijon kushtet për të pasur një mundësi tjetër për të sjellë në jetë një fëmijë.

Dakord, por ka shumë të tjerë që janë kundër.

Koçiu: Është e vërtetë që ka pasur debat. Debatet janë të shëndetshme kjo është një ndër arsyet kryesore pse zhvillohen konsultime publike, krijojnë produkte akoma më të mira. I ftoj të gjithë ata që kundërshtojnë, krahas kundërshtimit të japin edhe sugjerimin se si kush është mendimi i tyre.

Çfarë garancish ka që Shqipëria të mos kthehet në një Tajlandë, apo një Brazil? Që Shqipëria të mos kthehet në një ‘fasoneri’ të prodhimit të fëmijëve?

Nuk ka shans që të ndodhë kjo, për faktin e thjeshtë që ligji është qartësisht i shkruar e zeza në të bardhë kur vjen puna te fakti që nuk ka qëllime komerciale, ka vetëm për qëllim t’i japë mundësi atyre që nuk kanë mundësi, nga ana shëndetësore të sjellin në jetë një fëmijë. Kjo do përforcohet akoma më shumë me akte nënligjore që do të dalin, në zbatim të këtij ligji.

Në shumë vende kjo gjë nuk lejohet ama stimulohet birësimi, pse kjo gjë në Shqipëri nuk ndodh?

Koçiu: Normimi apo rregullimi i kësaj fushe me këtë ligj nuk i përjashton mundësitë e tjera. Është një mundësi më shumë për të gjitha ato gra dhe vajza që e kanë të pamundur nga ana shëndetësore të sjellin në jetë një fëmijë dhe duan që me mundësitë e veta dhe me këtë praktikë të kenë mundësi të sjellin në jetë një fëmijë të tyre.

Një mënyrë është fakti që do ofrohet nga spitalet publike dhe për të shmangur abuzimet nuk është një shërbim që mund të ofrohet me qira. Çfarë hallkash ligjore pamundësojnë abuzimet e mundshme që mund të dalin. Si na mbron ligji?

Koçiu: Ligji qartëson qartë edhe ndalesat, do të kemi një regjistër kombëtar ku do të regjistrojmë të gjithë procedurat që do ndiqen, kush do jenë individët që do përfitojnë. Do të ketë institucione shtetërore që do jenë përgjegjëse për të inventarizuar apo për të mbajtur këtë regjistër dhe që kanë përgjegjësinë për të monitoruar gjithë institucionet apo klinikat që do ofrojnë të tilla shërbime. Detajimet që do i bëhen ligjit, do të jenë në bazë të akteve nënligjore që do përcaktojnë procedura të sakta dhe kush do të jenë institucionet kompetente për të kontrolluar nga fillimi në fund të gjithë procesin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!