Eksperti për çështjet e pushtetit vendor, Agron Haxhimali, duke u ndalur te sezoni turistik, thotë se tendenca duhet më pozitive krahasuar me vitin e kaluar. Në një intervistë për “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, eksperti u shpreh se problematikë mbetet menaxhimi i ndotjes së mjedisit.
“Jam pozitiv sepse indikacionet më thonë se krahasuar me vitet e mëparshme që kishte konflikte për stacionet e plazhit, ku bëhej një luftë e madhe se kush mund të zaptonte dhe ndërtonte, tashmë kjo ka filluar të spostohet dhe t’i ngelet të shkuarës. Kemi një leksion nga viti i mëparshëm se si është menaxhuar situata nga bashkitë. Meraku është që a do të funksionojë task forca për menaxhimin e mjedisit, ujërave të ndotura. Më intereson e zgjidhim apo jo problem. Mendoj se nuk është zgjidhja e duhur, nuk do të kemi një rezultat në këtë drejtim. Për turizmin bregdetar të 11 bashkitë në vijë bregdetare mendoj se do të kemi një trend të mirë dhe nuk do të biem në nivelin e vitit të kaluar.”, u shpreh Haxhimali.
Ai thotë se ky problem nuk zgjidhet vetëm me gjoba dhe sanksione.
“Nuk zgjidhen problemet me masa gjobash. Mendoj se duhet të shkojmë në instrumente të tjerë, të përmirësojmë kulturën tonë, kushtet e investimit në shërbime dhe infrastrukturë por dikush që nuk sillet konform institucionet, ligjit dhe ndot mjedisin e meriton gjobën por jo masa dhe sanksioni të jenë qëllim në vetvete sepse nuk e zgjidh problemin.“, u shpreh ai./abcnews.al