Rama për akuzat e opozitës: Pse ta kontrolloj SPAK? Që disa të flenë rehat mbi dyshekët me pupla korrupsioni

schedule11:13 - 7 Maj, 2024

schedule 11:13 - 7 Maj, 2024

Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur akuzave të opozitës se ai kontrollon SPAK-un. Në mbledhjen me grupin parlamentar dhe kabinetin qeveritar, ai ironizon duke thënë se pse duhet ta kontrollojë institucionin e drejtësisë, që disa “të flenë rehat mbi dyshekët e mbushur mbi puplat e korrupsionit”.

“Kur thoshin se kontrolli unë SPAK, mirë që nuk ka provë se prova është gjë e madhe apo argument. Ka një problem më të madh se nuk ka sesi ta pranojë dhe as ta tolerojë mendërisht që unë në politikë kam hyrë vetëm për të ndryshuar dhe kthyer përmbys ca mundem, nga karakatinat e të shkuarës së largët dhe të afërt, e tregon historia ime politike. Në çdo sektor dhe çdo drejtim, merr e kthe përmbys. Nuk kam hyrë për të qenë një hu i gjatë në radhët e atyre që bëhen ministra, kryetar bashkie, kryetar partie.

Në rastin më të mirë ikin dhe nuk lënë gjurmë, kurse në më të keqin, i keni live çdo sabah dhe aksham, bëhen për të ardhur keq. Çfarë më duhet mua kontrolli i SPAK, që të shqyhem dysh ditë natë në krye të punëve. Që shumica në këtë familje të bëjnë punën e tyre me aq sa munden, që disa këtu të lënë fëmijët në gjumë dhe t’i gjejnë në gjumë dhe kur janë nëna, pa llogaritur se çfarë balte dhe ujërash të zeza na përplasen përditë në sy dhe ndërkohë ta kontrolloj SPAK-un që ndonjë mes nesh, ca rrotull nesh, të tjerë poshtë nesh të flenë rehat mbi dyshekët e mbushur mbi puplat e korrupsionit.

Unë s’ju vë faj për asgjë nga këto që thonë se po të ishin në vendin tim, do të bënin gjërat për të cilat më akuzojnë dhe akuzojnë ne. Siç i kanë bërë ata që kur ishin në vendin tim dhe pozicionin tonë, shkelin me këmbë këto, fusnin duart kudo. Ja ku janë sot, gazi i botës me gojën çapraz kundër korrupsionit dhe me çaprazin në bigën e drejtësisë për korrupsionin.”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!