Që nga dita kur u bë pjesë e medias ka kaluar afro gjysmë shekulli. Thoma Nika është një ndër gazetarët më të spikatur të Sarandës. Rrugëtimin në median e shkruar e nisi po në qytetin bregdetar, fill pas përfundimit të studimeve në Tiranë.
Teksa në auditore mori mësime se si duhej të shkruante një artikull, në terren e më pas redaksi mësoi se çfarë nuk duhej të shkruante. Censura ishte e lartë. Në gjithë këto vite kujton dy episode ku ka rrezikuar jo vetëm profesionin por edhe më shumë.
Njëra lidhet me funeralin e diktatorit Enver Hoxha ku fotografia e publikuar në gazetë nuk ishte ajo që duhej.
Ardhja e demokracisë as për Thoma Nikën nuk ishte si ajo që kishte menduar e dëshiruar. Me mbylljen e disa mediave ai ngeli i papunë. Për të siguruar të ardhura kreu punë të ndryshme.
Vite më vonë, kur siç thotë ai gjërat u normalizuan, nisi sërish punën në media.
Të panumërta janë personazhet që Thomai ka takuar, po aq edhe historitë që ka dëgjuar. Një pjesë prej tyre i ka publikuar në librin “Te pa ngjashmit”.
Thoma Nika thotë se ky nuk do të jetë libri i vetëm, së shpejti premton edhe vepra të tjera.