Skënderbeu nuk gabon në shtëpi, me korçarët të cilët triumfuan minimalisht 1-0 ndaj Erzenit në javën e 33-të të Kategorisë Superiore.
Skënderbeu iu fal një goli të shpejtë, të realizuar në minutën e shtatë nga Janaqi, një gol që në fund rezultoi i “Artë”, ndërsa për shijakasit kjo humbje sjell pasoja, pasi tani është me njërën këmbë në Kategorinë e Parë.
Pas golit të shënuar, skuadra e Delliallisit provoi të reagonte, por pa saktësinë e duhur, ndërsa në pjesën e dytë rastet konkrete munguan, por gjërat ndryshuan në minutën e 70-të, moment në të cilin Mëllugja la me dhjetë lojatarë shijakasit.
Një fitore me shumë vlera për Skënderbeun që shkon në kuotën e 47 pikëve duke barazuar Dinamon që mban pozicionin e vendit të katërt, ndërsa Erzeni mbetet me 31 pikë dhe kjo ishte humbja e tretë radhazi dhe tani Kategoria e Parë është shumë pranë.
Në “Elbasan Arena” Dinamo dhe Laçi ndajnë nga një pikë në barazimin 0-0, në një sfidë shumë të luftuar, me ritëm dhe raste.
Sfida nisi me rastin e dinamovitëve në minutën e gjashtë, moment kur porta e kurbinasve u kërcënua nga Denisson. Me minutat që kaluan, ritmi u rrit, teksa në minutën e 33-të Vila ishte shumë pranë golit, por nuk ia doli të shënonte.
0-0 dhe kështu u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, Laçi provoi më shumë, që kërcënoi që në minutat e para, ndërsa Dinamo u kundërpërgjigj në minutën e 69-të me Lorenco Vilën.
Pavarësisht dëshirës dhe rasteve, goli mbeti një mision i pamundur për të dyja skuadrat që vuajtën mungesën e konkretizimit.
Pas këtij barazimi, Dinamo ngjitet në vendin e katërt me 47 pikë duke “ndezur” garën për Final 4, teksa Laçi shkon në kuotën e 39 pikëve dhe mbetet pranë zonës “Play-Out”./ h.ll/abcnews.al