Ajo është nga Italia. Në Shqipëri për herë të parë shkeli 9 vite të shkuara.
Jo rastësisht u vendos në Sarandë. Për qytetin bregdetar, dëgjoi nga një shqiptare që e takoi në Mikonos.
“9 vjet më parë erdhëm këtu në Sarandë, si një eksperiencë, si një loje, sepse nuk e mendonim të krijonim një biznes tonin këtu. Duke udhëtuar nëpër Spanjë e nëpër Greqi, njohën një vajzë shqiptare në Mikonos që na këshilloi të vizitonim Sarandën. Vajza nga Saranda që njohëm në Mikonos na tha përse nuk shkoni të shikoni Sarandën, po bëhet më e bukur ndër vite, po rritet shumë, dhe realisht unë e pashë Sarandën të rritej shumë, njëlloj si një fëmijë.”
Kur unë erdha në Sarandë, nuk ishte ky zhvillim, këto rrugë, po flasim për 9 vite përpara. Në momentin e parë kur erdha, m’u duk e gjitha pak e çuditshme, pastaj sa kalonin vitet aq më shumë Saranda bëhej e madhe, rritej në turizëm dhe në shërbime. Ka resorte turistike, me plazhe të mrekullueshme dhe me shërbime të një niveli të lartë.
Stela kujton se që në ditët e para në Sarandë u ndje si në shtëpi. Bashkë me familjen vendosën të qëndrojnë më gjatë se për pushime dhe hapën një piceri.
“Burri im është picajol, familjarisht ata bëjnë pica, ata kanë një piceri në Puglia dhe donim të sillnim emrin e picerisë sonë në një vend tjetër, ishte e ëma e Markos, që mendoi të hapnim një piceri pranë detit, dhe ne deshëm t’ja plotësonim këtë dëshirë. Saranda është vendi më i mirë edhe për të jetuar, është një vend relaksues si për turistët edhe për ne që punojmë sepse të jetosh në një vend ku ndihesh mirë, ku relaksohesh, të bën të jesh mirë dhe punon më mirë. Jeta në Sarandë ka ndryshuar, nga viti i parë deri tani ka ndryshuar çdo gje, çmimet, por është e drejtë që ka ndryshuar kështu, sepse po e sjellim Sarandën në një nivel më të larte, dhe kur dikush më thotë shiko se 9 vjet më parë e paguaja nje uje 50 cent, unë them që 9 vjet më përpara Saranda nuk të ofronte këtë shërbim, nuk kishte këto struktura, këtë lungomare.”
Qytetarët në Sarandë e mirëpritën familjen italiane por si kilentë i qëndronin larg biznesit të tyre.
Kohë më pas Stela tregon se ata nisën t`ju besonin dhe sot shqiptarët që preferojnë picat e tyre janë edhe më të shumtë se italianët turistë në Sarandë.
Për largimin nga Italia, Stela nuk është penduar. Thote se me jetën e re që ka ndërtuar në Sarandë ndihet mirë, në qytetin bregdetar ka vendosur të rrisë edhe djalin e saj.
Si Stela, të huajt e veçanërisht italianët, janë me qindra të cilët kanë lënë vendet e tyre dhe kanë nisur një jetë të re në Shqipëri./abcnews.al