Për të përballuar fluksin e turistëve gjatë këtij viti qeveria ka ndërmarrë një sërë investimesh në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Zv.kryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë ka inspektuar punimet për nënstacionin e ri elektrik të Velipojës ndërsa ka theksuar se synim mbetet ulja e mëtejshme e humbjeve të energjisë elektrike në rrjet.
Investimet ne rrjetin e shpërndarjes do të përmirësojnë cilësinë e furnizimit me energji elektrike në zonat turistike edhe pse fluksi i vizitorëve pritet të jetë rreth 40 % më shumë se një vit më parë. Ministrja Belinda Balluku ka inspektuar punimet në kantierin e nënstacionit të ri të Velipojës ndërsa tha se vëmendja e qeverisë është fokusuar në përfundimin e investimeve në rrjetin energjitik para nisjes së sezonit veror.
Sipas ministres investimet e reja në rrjetin energjitik që po realizohen në të gjithë vendin do të ndikojnë në uljen e humbjeve të energjisë në rrjet.
Në nënstacionin e ri elektrik të Velipojës do të instalohen dy transformatorë me tre nivele tensioni, duke e çuar fuqinë e këtij nënstacioni në 50 mega ç’ka garanton furnizimin me energji të kësaj zone./abcnews.al