Ilir Meta ka mbledhur paraditen e kësaj të shtune Konventën Kombëtare të Partisë së Lirisë me qëllim spastrimin nga “tradhtarët” dhe shkëputjen nga nepotizmi i partisë siç është shprehur ai. Në listën e fjalimeve që do të mbahen gjatë kësaj konvente nuk figuron emri i ish kryetares Monika Kryemadhi.
Gazetarja Erneta Shevroja raporton se do të merren dy vendime. Së pari, distancimi i Kryemadhit nga struktura drejtuese dhe së dyti, emërimi i Metës si president i partisë. Priten dhe ndryshime të tjera, ku do të ketë një zëvendës president, sekretari i përgjithshëm dhe sekretarët sipas sektorëve.
“Përplasja mes Metës dhe Kryemadhit, të dy mbajtën qëndrime të caktuara ndaj njëri-tjetrit, në prag të kësaj konvente, e cila ka dy momente të rëndësishme. Së pari, distancimi i Kryemadhit nga strukturat drejtuese të kësaj partie, e cila drejtohet që kur Meta u largua nga presidenca në korrik 2022. Vendimi i dytë është që Meta nga kryetar do të quhet president i Partisë së Lirisë.”, raportoi gazetarja.
Duke u ndalur te deklarata e Monika Kryemadhit para nisjes së konventës, gazetarja shtoi:
“Kryemadhi, ashtu siç e bëri të qartë, do të distancohet nga strukturat e partisë së Lirisë. pozicioni i saj i vetëm do të jetë deputete e partisë. Kur deklaroi se prioritet do të jenë tre fëmijët,duket sikur nënkupton një distancim të madh, megjiatë nuk ka një përgjigje nëse do të jerë ndër emrat për deputete apo jo.”/abcnews.al