“Nuk e kisha menduar kaq pozitiv sezonin e parë”, Luis Enrique “anashkalon” Mbappe: Vitin tjetër do të jemi më të mirë

schedule20:16 - 26 Prill, 2024

schedule 20:16 - 26 Prill, 2024

Pas fitores ndaj Lorient, tashmë “gjigantët” francezë, të Paris Saint-Germain janë vetëm një triumfi larg sigurimit të titullit të 12-të kampionë, në Ligue 1, titull që mund ta sigurojnë nëse arrijnë të fitojnë transfertën e së shtunës mbrëma, ndaj skuadrës së Le Havre, një sfidë ku në letër shihet qartazi diferenca mes këtyre dy ekipeve.

Siç e do zakoni para sfidës u zhvillua edhe konferenca për shtyp, nga tekniku i “Kuqebluve”, të Parisit, Luis Enrique foli për mbarëvajtjen e këtij sezoni, të cilën e konsideroi si një edicion mjaft pozitiv e më tej foli edhe për largimin e “yllit” të skuadrës, Kylian Mbappe, në merkaton e vereës, teksa u shpreh se është i bindur, që do të kenë një skuadër të fortë edhe pa të.

“Jemi shumë pranë titullit kampion dhe është një moment i veçantë. Sinqerisht nuk e kisha menduar një skenar kaq pozitiv, kemi bërë një sezon shumë të mirë dhe jam i lumtur. Përfundimi i këtij sezoni është shumë motivues për ne. Mbappe? Ne kishim një skuadër të re këtë sezon, me shumë lojtarë që erdhën në fillim të edicionit dhe ndërtimi vazhdon. Jam i bindur se sezonin e ardhshëm do të jemi më mirë, ky është mesazhi që dua t’u dërgoj lojtarëve të mi”,- u shpreh fillimisht “iberiku”.

Më tej, tekniku Luis Enrique foli edhe për sfidën e radhës, në UEFA Champions League, teksa tashmë do të përballen me “Verdhezinjtë” e Borussia Dortmund, me sfidën e parë të gjysmëfinaleve, që do të zhvillohet në “Signal Iduna Park”, ku spanjolli të kuptohet se ndaj Le Havre ende nuk e ka vendosur formacionin, ndërsa foli me superlativa për “yllin”, Ousmane Dembele.

“Çdo ndeshje e PSG-së këtë sezon ka përfaqësuar një mundësi për lojtarët. Pse të ndryshojë? Le Havre është një ekip që ka nevojë për pikë dhe nuk do të ketë hapësirë. Nëse fitojmë, do të jemi kampionë. Në shtëpi është një mjedis i përsosur për të festuar. Dembele? Ai është një sulmues i nivelit të lartë, po kalon një momente të shkëlqyer. Ousmane kishte shënuar vetëm një gol para Barcelona-s, por me 10 asistime dhe na ka ndihmuar gjithmonë. Për ne është një lojtar i rëndësishëm dhe jam i lumtur nga harmonia që grupi ka, kjo është ajo që ka vlerë për mua”,- përfundoi strategu i PSG. /i.m /abcnews.al