SHQIPËRI- A është normale që kryeministri i një vendi tjetër, sado miqësor, të bëjë presion në televizionin shtetëror, e pyet gazetarja e Corrire Della Sera kryeministrin shqiptar, duke i kujtuar se partitë që kundërshtojnë qeverinë Meloni e quajnë telefonatën e Ramës me drejtuesit te televizionit RAI një skandal.
“Para se të fajësojnë mënyrën time të reagimit, miqtë e mi të dashur të opozitës në Itali duhet të interesohen për shkaqet dhe të përpiqen të kuptojnë se dinjiteti dhe transparenca janë të rëndësishme si kur flitet për shërbimin publik italian dhe kur bëhet fjalë për institucionet publike shqiptare dhe personat që i përfaqësojnë ato. Unë nuk kam as mjete dhe as qëllim që të imponoj diçka në punët e brendshme të vendit tuaj. Megjithatë, unë kam për detyrë të mbroj vendin timin nga stereotipi i tmerrshëm i një epoke tjetër, të krijuar nga mediat në Itali për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Rama.
Shefi i qeverisë shqiptare mohon që për këtë çështje të ketë biseduar me homologen e tij italiane, Giorgia Meloni.
“Nuk kam folur me Giorgia Melonin, sepse e imja është një betejë për të vërtetën dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kryeministrja juaj nuk ka asnjë lidhje me të, edhe nëse vendi im u soll si një objektiv kolateral i sulmit kundër qeverisë së saj”, theksoi ai.
Rama refuzon të bëhet pjesë e debatit politik brenda Italisë, në lidhje me qendrat e transferimit të emigrantëve.
“Çfarë kanë të bëjnë me ne të gjitha polemikat në shtëpinë tuaj për flukset, kostot, kontratat e kështu me radhë? Asgjë! Dhe çfarë lidhje ka fakti që Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë shqiptare ishte avokat penal në Itali më shumë se dhjetë vjet më parë me paktin për emigrantët? Dhe për çfarë arsyeje të pakuptueshme duheshin thënë gënjeshtra dhe shpifje të eksportuara nga Shqipëria në Itali, për audiencën e Report?”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri Rama akoma shpreson se do t’i jepet mundësia të dielën mbrëma, të flasë live në emisionin Report në RAI 3/abcnews.al