Territori shqiptar paraqitet nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, ku moti i kthjellët dhe vranësirat e lehta do të jenë dominante gjatë gjithë paradites ndërsa pjesa e dytë e ditës do të sjellë vranësira të shpeshta nëpër të gjithë territorin e vendit, ku më të theksuara do të jenë në zonat veriore dhe pjesërisht në zonat qendrore duke rrezikuar shira të dobët dhe lokalë. Gjatë natës pritet përmirësim i theksuar i kushteve atmosferike në të gjithë territorin e vendit.
Temperaturat e ajrit do të rriten si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 4°C temperatura më e ulët në Pukë deri në 21°C vlera maksimale e cila do të shënohet në Tiranë dhe Elbasan. Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det duke arritur shpejtësinë 35 km/h nga drejtimi Jugor, duke gjeneruar në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim 2 – 3 ballë.
Kosova
Republika e Kosovës do të paraqitet nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme duke sjellë mot të kthjellët në pjesën më të madhe të Kosovës gjatë orëve të para të ditës. Pjesa e dytë e ditës do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira të shpeshta në të gjithë territorin, ku më të theksuara vranësirat do të jenë në kufitare me Shqipërinë duke rrezikuar reshje të pakta dhe afatshkurtra. Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në orët e mëngjesit dhe të mesditës duke luhatur vlerat ditore nga 3°C minimalja e shënuar përkatësisht në qytetin e Mitrovicës deri në 16°C vlera maksimale e cila do të shënohen në qytetin e Prizrenit. Era do të fryjë e lehtë paradite por forcohet disi gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 35 km/h nga drejtimi permanent jugor.
Maqedonia e Veriut
Moti i kthjellët dhe vranësirat e shpeshta do të mbizotërojnë në të gjithë republikën e MV, ku më të theksuara kthjellimet do të paraqiten përgjatë zonave në Jug dhe Jugperëndim të territorit ndërsa me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta do të jetë moti në pjesën tjetër të MV edhe pse vranësirat do të jenë të dukshme në veri dhe veriperëndim duke gjeneruar reshje të pakta shiu. E njëjta situatë meteorologjike do të vijojë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 3°C vlera minimale e regjistruar në qytetin e Gostivarit deri në 18°C vlera maksimale e cila do të regjistrohet në qytetin e Shkupit. Era do të fryjë e lehtë gjatë paradites por deri mesatare në pjesën e dytë të ditës duke arritur shpejtësinë mbi 38 km/h nga drejtimi kryesisht Jugperëndimor.
Europa
Si pasojë e prezencës së dy qendrave të fuqishme ciklonare, përkatësisht në veri dhe verilindje të kontinentit me ndikim deri në Alpet Europiane do të kushtëzojnë motin në këto rajone, ku gadishulli Skandinav dhe Europa Lindore do të kenë reshje të dendura shiu e dëbore. Po ashtu me reshje shiu do të paraqitet Europa qendrore dhe pjesërisht Ballkani, ku herë pas here do të jenë rrebeshe ndërsa ishujt Britanikë, Gadishullli Iberik si edhe brigjet e Egjeut do të jenë nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike duke bërë që moti i kthjellët dhe temperaturat e larta të jenë dominante./abcnews.al