Shqiptarë e të huaj e njohin si kapiten “Dajko”. Ramizi nga fshati Xarre i Konispolit është i lidhur me detin prej një jete. Që në moshë të vogël shkonte në ujërat e Jonit jo vetëm për t`u larë por edhe për të peshkuar. Pasi u rrit një pjesë të madhe të jetës e kaloi në emigrim, në Greqi, nga ku u kthye përfundimisht gati 10 vite më parë.
Fillimisht bleu një varkë të vogël për t`u marrë me peshkim por më vonë kuptoi që kishte interes nga të huajt për të parë e njohur vendin përmes mjeteve të vogla lundruese.
Vizitorët i çon me varkën e tij deri në afërsi të kufirit me Greqinë.
Nuk është vetëm kapiten por edhe udhërrëfyes. Nuk lodhet duke u treguar turistëve historinë e Butrintit apo kalasë së Ali pashës.
Gjatë verës turistët janë të shumtë. Kapiten Dajko tregon se me disa syresh ka krijuar edhe miqësi.
Teksa shëtit me varkë turistët, nuk harron pasionin e vjetër, hedh grepin në det dhe peshkon.
Lidhja shpirtërore që ka me detin është e fortë aq sa të afërmve të tij u ka lënë porosi që kur mosha t`ja dobësojë forcën fizike ata ta nxjerrin shëtitje në breg në mos për të peshkuar për të ndjerë e prekur ujerat e Jonit.
/abcnews.al/

