Beleri, pjesë e shërbimeve sekrete greke? Ardit Bido: E dinte se do të arrestohej, mund të ketë inskenuar…

schedule21:21 - 18 Prill, 2024

schedule 21:21 - 18 Prill, 2024

Studiuesi Ardit Bido thotë se Fredi Beleri, duke iu referuar informacioneve nga një gazetar grek, është pjesë e shërbimeve sekrete greke. I ftuar në emisionin “360 gradë” në ABC News, Bido theksoi se Beleri mund ta ketë inskenuar vetë arrestimin dhe për këtë i referohet një informacioni nga zëdhënësi i tij.

“Dua të jap dy lajme. Një që na vjen nga shtabi i Belerit dhe një nga gazetarë grekë, konkretisht Nikos Ksidhaqis, i cili dje ka deklaruar qartazi se sipas informacioneve që ka, Beleri ka lidhje të ngushta me shërbimin sekret grek, shërbim i cili shpeshherë funksionon në mënyrë të pavarur nga politika.

E dyta, është një lajm që ka ardhur pardje nga zëdhënësi i Belerit, i cili na ka thënë se Beleri e dinte një ditë përpara që do të arrestohej dhe iu sugjerua që të mos lëvizte nga Shqipëria. Ky fakt, ndoshta i ndërlidhur me informacionin e Ksidhaqis, me faktin që një ditë më vonë një person që dinte se do të arrestohej vuri Pandeli Kokaveshin të jepte lekët për të blerë vota, mund të na rrëfejë shumë gjëra se si Fredi Beleri e ka inskenuar vetë arrestimin e tij për interesa më të gjëra të vetëpërdorjes personale.”, u shpreh Bido./abcnews.al