Milan, fitore ose “ferr”, shansi i fundit i “Kuqezinjve” për të fituar trofe këtë vit

schedule17:16 - 18 Prill, 2024

schedule 17:16 - 18 Prill, 2024

Një ëndërr e bukur po vazhdon. Daniele De Rossi mund të mos jetë një trajner aq i vlerësuar sa një Xabi Alonso, por legjenda e Roma-s nuk e vret shumë mendjen për këtë, teksa nën udhëheqjen e ish-kapitenit, kryeqytetasit janë pranë gjysmëfinales së dytë radhazi, të UEFA Europa League, edhe pse përballë tyre janë “Djajtë” e Milan.

Në “San Siro”, romanët ia dolën të triumfonin minimalisht, 1 me 0 falë golit, të Gianluca Mancini dhe padyshim epërsia është me ta, ama asgjë nuk është e garantuar, siç e tregoi edhe UEFA Champions League, me eliminimin e Barcelona, teksa për këtë sfidë, “Verdhekuqve” i mungon Ndicka e Cristante, mirëpo De Rossi ka plot alternativa, duke nisur nga Paulo Dybala.

“Nuk dua të komentoj ato që shkruhen, jo për mungesë respekti, por sepse unë mendoj ndryshe. Milan është ekipi i dytë në renditjen e Serie A, ka fituar çdo ndeshje së fundmi, me përjashtim të asaj me Roma-n. Udhëkryq është për ata, sepse e kanë objektiv ta fitojnë Europa League, pasi vjet ishin protagonistë në Champions. Duhet të luajnë për fitore”,- u shpreh tekniku italian.

Milan padyshim që nuk mund t’ia lejojë vetes që të eliminohet. Vjet arriti në gjysmëfinale në UEFA Champions League, pra këtë sezon synohet trofeu, edhe pse humbja e parë prish shumë punë, teksa shans tjetër për trofe këtë sezon, nuk ka.

Trajneri Stefano Pioli ka 3 mungesa të sigurta nga dëmtimet Kalulu, Pobega dhe mbrojtësin tjetër, Kjaer. Gjithsesi, kthehen dy emra të rëndësishëm, si Maignan në portë dhe Fikayo Tomori. Ka balotazh mes Chukwueze dhe Loftus-Cheek, ndërsa tekniku “Kuqezi” flet thjesht dhe shkurt.

“Padyshim që do të duhet një ndeshje e një niveli të lartë. Duhet të kujdesemi për çdo detaj, çdo vogëlsi, duhet të jemi më mirë sesa në ndeshjen e kaluar. Kam besim tek skuadra sepse i ka cilësitë për ta fituar këtë ndeshje”,- u shpreh tekniku i “Kuqezinjve”, me këta të fundit, që pavarësisht fitores së “Verdhekuqve” mbeten favorit për të kaluar në gjysmëfinale. /i.m /abcnews.al