Lideri i Hamasit, organizatës islamike palestineze që kontrollon Gazën, Ismail Haniya, do të vizitojë Turqinë gjatë fundjavës për të zhvilluar bisedime me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.
“Do të pres liderin palestinez në fundjavë. Ne do të diskutojmë një sërë çështjesh,” u tha Erdogan ligjvënësve të AK Partisë në parlament, duke e quajtur edhe një herë Hamasin një “lëvizje çlirimtare”.
Lajmi për vizitën e Haniya në Turqi erdhi menjëherë pasi kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani tha se bisedimet për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve ishin në një “fazë kritike”.
“Ne po mundohemi sa më shumë të përballemi me pengesat”, shtoi ai, pa dhënë detaje.
Ndërkohë, Izraeli thuhet se po peshon një përgjigje ndaj Iranit lidhur me sulmin e fundjavës së Teheranit në tokën izraelite në hakmarrje për një sulm të 1 prillit në konsullatën e tij në Damask, Siri, mes thirrjeve ndërkombëtare për përmbajtje.
/abcnews.al