Starova ka analizuar ish-skuadrën e tij, Laçin, në emisionin “Pressing”. Trajneri i mirënjohur i thuri elozhe ekipit kurbinas, si dhe sulmuesit më në formë në Superiore, Nwabuezes. Në fjalën e tij, Starova tha:
“Laçi bën pjesë në atë skuadra që bën pjesë të grupi i ekipeve që ka ekuilibër. Kanë pësuar disa gola nga gabime individuale, por tashmë ekipi ka fituar moralin e duhur. Jo më kot e kam thënë se Laçi do të luftojë për Kupat e Europës, si dhe për titullin kampion, pasi nuk ua heq njeri mundësinë. Mundësia është reale, pavarësisht se nuk bërtet sikur Kukësi: Do të dalim kampionë!
Laçi mbrohet mirë dhe luan shpejt. Përveç lojtarit kryesor, Nwabueze, që po udhëheq kampionatin dhe skuadrën, është edhe Xhixha, që po shënon tani. Lushkjan e ka zili çdo skuadër në Shqipëri. Shehu para mbrojtjes është një lojtar i shkëlqyer.
Kirin e rrethojnë Teco, Xhixha. Të tre mbrojnë e sulmojnë së bashku. Kukësi do të shkojë në Laç për të marrë pikë, pasi Laçi po kalon një moment shumë të mirë. Laçi ka të gjithë lojtarët të rinj, ka gjendje fizike të mirë. Ambienti është i mirë, presion nuk ka. Një fitore me Kukësin, do ta çojë në një supersfidë me Partizanin. E ka mundur në Laç. Më pas, ka Gjirokastrën në shtëpi dhe Vlorën.
Me Tiranën, Laçi erdhi për të marrë pikë. Ajo ndeshje i ka pasur të tre rezultatet. Ka pasur një periudhë tranzicioni dhe nuk ia doli të fitojë. Kiri është kategori në vete, por ka dhe Xhixha, Tecon, Lushkjan. Ka një moshë të re, shtatlartësi, të gjithë premisat. Prandaj them që Laçi ka mundësi reale për titull”.