TIRANË- Monedha europiane euro është dobësuar ndjeshëm ndaj lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro po këmbehet me 100.7 lekë duke prekur nivelin me të ulët të këtij viti.
Agjentët e kursit të këmbimit presin, që ky nivel të vijojë edhe përgjatë muajve në vijim për shkak të numrit të lartë të turistëve, të cilët priten në vijim.
Eksperti i Adrian Civici, i ftuar në “Money Report” me gazetaren Genta Dobra analizoi këtë trend zbritës të euros në tregun e këmbimit valutor.
Ai theksoi se treguesit, si shtimi i turistëve, rritja ekonomike e vendit, investimet e huaja, qarkullimi i një sasie të madhe e euros në treg ndikojnë në dobësimin e monedhës europiane në krahasim me monedhën vendase.
“Mendoj se janë po të njëjtët faktorë, që i bëjnë presion kursit të këmbimit në favor të lekut dhe dobësimit të euros. Sasia e eurove në qarkullim në tregun monetar shqiptar në krahasim me të njëjtën masë monetare në lekë dhe ky presion sa vjen dhe shtohet dhe presioni mund të arrijë kulmin në mesin e korrikut dhe gushtit. Janë dhe sasi eurosh informale që vazhdojnë të hyjnë në tregun monetar shqiptar, por edhe investimet e huaja direkte dhe rritja ekonomike në vend dhe kjo bën efektin e tyre”, tha ajo.
Ai shprehet se krahas faktorëve te tjerë, rol të fortë luan edhe sjellja psikologjike e konsumatorëve, të cilët besojnë se leku do vazhdojë të forcohet dhe kjo ndikon në dobësimin e mëtejmë të monedhës europiane, euro.
“Mendoj se në këto momente vepron dhe një element psikologjik, që përcakton sjelljen e aktorëve në treg dhe është bërë si një lloj bindjeje, që leku do vazhdojë të jetë i fortë dhe shumë faktorë i paraprijnë kësaj tendence në favor të forcimit të lekut dhe dobësimit të euros”, tha ai.
I pyetur se sa mund të preket Shqipëria nga konflikti në Lindjen e Mesme, nëse ai shfaq tendenca zgjerimi, eksperti i ekonomisë dha këtë përgjigje:
“Me përjashtim të një pjese të furnizimit të naftës, vështirësia tjetër në aspektin tregtar mund të jetë në lidhje me kostot dhe shpejtësinë e tij, por implikimet direkte nga ky konflikt nuk besoj se do ndihen”, tha ai./ n.m.abcnews.al