Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian tha të dielën se sulmi i Iranit kundër Izraelit ishte “i kufizuar” në shtrirje, që do të thotë se nuk kishin në synim objektiva civile.
Forcat e Armatosura të Republikës Islamike të Iranit shënjestruan një bazë ushtarake ku ushtria izraelite mban avionët F-35 nga ku u nis sulmi ndaj ndërtesës së ambasadës së Iranit në Damask në fillim të këtij muaji, tha ministria e jashtme e Iranit në një konferencë për shtyp.
Të shtunën mbrëma, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) lëshoi rreth 300 raketa dhe drone drejt Izraelit në përgjigje të sulmit ndaj ambasadës iraniane në kryeqytetin sirian, i cili vrau dy komandantë të lartë ushtarakë dhe plagosi pesë oficerë të tjerë.
“Operacioni kishte në shënjestër qendrën e inteligjencës dhe “syrin” e regjimit sionist që ishte përdorur për të drejtuar të gjitha operacionet gjatë gjashtë muajve të fundit, përfshirë operacionin e fundit në ambasadën e Republikës Islamike të Iranit në Damask,” tha Abdollahian.
“Forcat tona të armatosura nuk shënjestruan asnjë qendër ekonomike apo civile, madje edhe gjatë sulmit në bazën ushtarake u mor parasysh saktësia e nevojshme për t’u përballur dhe për t’iu përgjigjur regjimit sionist,” pohoi ai.
Ministri i Jashtëm tha se Irani u tha vendeve rajonale, ku Shtetet e Bashkuara kanë baza ushtarake, se qëllimi i vetëm i operacionit “legjitim” ishte “ndëshkimi” i regjimit izraelit për agresionin e tij kundër objekteve diplomatike të Iranit.
Republika Islamike, tha ai, nuk po kërkon të synojë bazat apo personelin ushtarak amerikan në rajon.
Megjithatë, kryediplomati iranian shtoi se Teherani tashmë ka paralajmëruar se nëse Shtetet e Bashkuara përdorin bazat e tyre ushtarake në rajon për të ndërmarrë ndonjë sulm në mbështetje të Izraelit, atëherë “baza ushtarake amerikane do të jetë në shënjestër”.
Ai pohoi gjithashtu se Irani është i përkushtuar ndaj sigurisë së “vëllezërve së tyre në vendet fqinje dhe në rajon”./abcnews.al