OKB: Mijëra të vrarë, nëntë milionë të zhvendosur gjatë një viti lufte në Sudan

schedule14:23 - 12 Prill, 2024

schedule 14:23 - 12 Prill, 2024

Lufta në Sudan filloi një vit më parë, dhe sipas Kombeve të Bashkuara, rreth nëntë milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit që atëherë, ndërsa rreth një milion njerëz janë larguar nga vendi.

Mijëra njerëz janë vrarë në një luftë që është lënë në hije nga konfliktet në Gaza dhe Ukrainë.

Kombet e Bashkuara kërkuan 2.7 miliardë dollarë për financimin e nevojave humanitare, por morën 155 milionë dollarë, që është vetëm gjashtë për qind e shumës së kërkuar.

Ushtria sudaneze, e udhëhequr nga gjenerali Abdel Fattah Burhan, po lufton Forcën e Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake, të komanduar nga gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se lufta do të lërë pasoja për brezat e ardhshëm.

Vlerësohet se tre milionë fëmijë sudanezë janë të kequshqyer dhe rreth 19 milionë fëmijë nuk ndjekin shkollën. Një e katërta e spitaleve sudaneze nuk funksionojnë më.

Organizatat humanitare pohojnë se gratë dhe fëmijët vuajnë më së shumti në konflikt./abcnews.al