Fatime Kryemadhi, mamaja e Monika Kryemadhit është marrë në pyetje këtë të enjte nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Pas daljes nga SPAK, Fatime Kryemadhi deklaroi se u pyet në lidhje me pasurinë e saj. Ajo u shpreh se çdo gjë e ka deklaruar dhe shtoi se ka ndihmuar Monikën me para.
“U pyeta për pasurinë, për pallatin, të gjithë paratë i kam të deklaruara dhe i kam në bankë. Kam ndihmuar vajzën time me para. Jam krenare për vajzën time e di nga se e ka të gjithën. Historia ka nisur që në momentin që Monika është marrë me djegësat dhe e gjitha është politike.”, tha ajo.
Ndërkaq, gazetari i ABC News, Ermal Vija raporton se Fatime Kryemadhi qëndroi për më shumë se 5 orë në ambientet e SPAK.
“Ka qëndruar për më shumë se 5 orë, ka dhënë sqarime sa i takon një hetimi lidhur me Monika Kryemadhin, për çështjen e lobimit dhe ndërhyrjet estetike që ka kryer. SPAK ka nisur edhe hetim pasuror ndaj Monika Kryemadhit, dhe është thirrur edhe nëna e kësaj të fundit. Ka sqaruar për gjithçka prokurorët, për pasurinë që zotëron, një pjesë ia ka ndarë edhe vajzës së saj. Sipas saj, kjo ka sfond politik pasi Kryemadhi ka denoncuar aferën e inceneratorëve. Është hera e parë që një nga të afërmit të Monika Kryemadhit jep sqarime në SPAK. Ende nuk ka një akuzë zyrtare nga ana e Prokurorisë. Zonja është thirrur në cilësinë e një personi që ka dijeni”, raportoi gazetari i ABC News, Ermal Vija./abcnews.al