Ancelotti: Nuk jam dakord me presidentin, ja pse po vuan Napoli im

schedule15:14 - 4 Nëntor, 2019

schedule 15:14 - 4 Nëntor, 2019

Situata tek ekipi i Napolit nuk është aspak e qetë, por për fatin e mirë të djemve të Carlo Ancelotti ndeshja e radhës vjen shumë shpejt. Nesër në mbrëmje vijnë austriakët e Salzburgut në “San Paolo” dhe një fitore e kualifikon Napolin më tej në Champions League.

Presidenti De Laurentis ka vendosur të grumbullojë ekipin deri ditën e dielë. Një vendim i tillë është marrë si shkak i rezultateve të dobëta në kampionat, vendim të cilin trajneri nuk e aprovon. Ancelotti karikon ekipin, teksa shpjegon dhe problemin kryesor të paraqitjeve të fundit.

Në fund një koment për racizmin. Mario Balotelli reagoi kundër tifozëve të Veronës dhe shkelmoi topin drejt tyre. Ancelotti i del në mbrojtje dhe e cilëson korrekt veprimin e sulmuesit të Brescias.

OBJEKTIVI – “Jemi të përqendruar për të zhvilluar një ndeshje të madhe nesër, nuk ka asnjë dyshim për këtë. Grumbullimi është një vendim i klubit. Nuk jam dakord, por e pranoj ashtu siç duhet të bëjnë të gjithë. Sidoqoftë, është një detaj pa rëndësi dhe kundër Salzburgut duam të zhvillojmë një ndeshje të madhe”.

SITUATA – “E kemi ulur nivelin e intensitetit tonë. Në pjesën e parë kundër Romës nuk e kishim ndeshjen nën kontroll. Vetëm duke rritur intensitetin mund të arrijmë te rezultatet pozitive. Jam i shqetësuar për renditjen, por arrij ta ruaj qetësinë. Vlerësimi i saktë i situatës të ndihmon të bësh ndryshimet e nevojshme”.

BALOTELLI – “Mario bëri mirë dhe reagimi ishte korrekt. Mbase jemi në rrugën e duhur për të luftuar çështjen e racizmit”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!