Të tjera detaje janë zbuluar në lidhje me operacionin ndërkombëtar policor të koduar “Sammogia”, e cila u shtri në Shqipëri, Itali dhe Gjermani. Tre shqiptarë u arrestuan në Vlorë, për llogari të shtetit italian.
Gazetari i ABC News, Ervin Leka raporton se organizata kriminale drejtohej nga disa shqiptarë. Ata e merrnin kokainën dhe marijuanën në Gjermani dhe e trafikonin në Itali.
Autoritetet gjermane po hetojnë sesi shqiptarët e siguronin lëndën narkotike. Ka dyshime se lënda narkotike kultivohej në Gjermani, por nuk përjashtohet mundësia që të vinte nga Shqipëria, e më pas dërgohej në Itali.
“Është një operacion i shtrire në kohë, prej disa muajsh për një grup shqiptarësh që furnizonin Italinë me lënde narkotike, e merrnin në Gjermani dhe e dërgonin në shtetin italian. Janë arrestuar shtetasit Landi Kalemaj, Floriant Muho dhe Ledjon Muho. Sa i përket grupit, drejtohej nga disa shqiptarë të cilët, pasi siguronin lëndën narkotike në zonën e Gjermanisë, e trafikonin në Itali. Kanë qenë disa udhëtime të shpeshta të kryera prej tyre, që ka bërë që policia italiane të ngrejë dyshimet dhe të fillojë hetimet. Për 3 shqiptarët, gjykata e Bolonjës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”. Sa i takon sasive të tjera të sekuestruara, bëhet fjalë për 27 kilogram kokainë dhe 11 kg marijuanë.
Pala gjermane po heton në shtetin e saj sesi shqiptarët e siguronin lëndën narkotike. Në bashkëpunim me palën shqiptare, ka rezultuar se këta 3 persona janë përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Ata fshiheshin në zonën e Vlorës dhe janë arrestuar gjatë natës së djeshme.
Për tre personat, banues në qytetin e Vlorës, ekzekutimi i kësaj mase sigurie është bërë nga pala shqiptare. Pala italiane informoi homologët e tyre në Shqipëri. Ende nuk rezulton që keta persona të kenë precedent të mëparshëm penalë”, raportoi gazetari Leka./abcnews.al