Vllaznia dhe Bylis duan vendin e dytë, ka derbi në pankina

schedule09:46 - 4 Nëntor, 2019

schedule 09:46 - 4 Nëntor, 2019

Vllaznia – Bylis është ndeshja që mbyll javën e 11-të të Kategorisë Superiore. Përballja do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” dhe nis në orën 18:00. Të dy ekipet erdhën nga Kategoria e Parë, por kjo nuk i ka penguar të dhurojnë paraqitje pozitive dhe të arrijnë rezultate.

Kuqeblutë do të tentojnë fitoren për të lënë pas krahëve disfatën në Laç dhe për t’iu bashkuar Kukësit dhe Tiranës në vend të dytë. Nga ana tjetër është Bylis, ekipi me më pak humbje në kampionat.

Ballshiotët kanë dështuar vetëm në ndeshjen e parë të kampionatit kundër Teutës në Durrës dhe më pas kanë marrë pikë në çdo ndeshje. Bylis numëron 17 pikë dhe një fitore ik dërgon në vend të dytë, një pikë poshtë Partizanit kryesues.

Takimi i fazës së parë u mbyll pa gola, teksa interesante do të jetë edhe përballja e trajnerëve. Të dy janë të huaj, Mirsad Jonuz i shkodranëve është me origjinë boshnjake, vend nga i cili vjen edhe kundërshtari Veljko Dovedan.

Deri tani kanë treguar se janë përshtatur në Shqipëri dhe kanë bërë mirë. Tifozët shkodranë pritet të mbushin stadiumin dhe prania e tyre pritet t’i japë zemër Vllaznisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!