Në Pallatin Kombëtar të Meksikës, ku ndodhet selia e degës ekzekutive, 19 mace endacake mund të bredhin lirshëm në kopshtin e madh dhe korridoret historike, koloniale të ndërtesës.
Sipas deklaratës së re të qeverisë, kujdesi për to tashmë është një detyrim.
“Ata kanë akses në çdo pjesë të pallatit, kështu që ju mund t’i shihni kur njerëzit takohen në korridore, japin intervista dhe ecin nëpër kamerat e shtypit”, tha veterineri i pallatit Jesus Arias, raportoi “New York Post“.
Macet nga pallati kanë bërë histori, shton gazeta e Nju Jorkut, teksa qeveria e presidentit meksikan Andres Manuel Lopez Obrador i ka shpallur “pronë të gjallë”, duke i bërë ato kafshët e para në Meksikë që iu dha ky epitet.
Prona shtetërore zakonisht i referohet ndërtesave dhe mobilieve, pra pasurive të paluajtshme, por tani me një deklaratë të re macet janë në përgjegjësi të Ministrisë së Financave, e cila duhet të paguajë ushqimin dhe kujdesin e tyre sa janë gjallë.
“Macet janë tani simboli i Pallatit Kombëtar të Meksikës. Ne duhet të sigurohemi që këto mace të kujdesen mirë”, tha Adriana Castillo Roman, drejtoresh e përgjithshme e Pallatit Kombëtar.
Nuk dihet se kur janë shfaqur për herë të parë macet në pallat dhe as nuk dihet se si kanë hyrë në ndërtesë. Ndërsa 19 mace jetojnë përgjithmonë në ndërtesë, shumë mace të tjera vijnë dhe shkojnë, dhe stafi i pallatit supozon se macet e tjera hyjnë fshehurazi gjatë natës nga një vrimë e vogël në portë./abcnews.al