VIDEO/ Tjetër fitore për “Djajtë”, Milan mund thellë Ramadanin me shokë në “San Siro”

schedule17:06 - 6 Prill, 2024

schedule 17:06 - 6 Prill, 2024

Nuk mund të kishte rezultat tjetër, sidomos kur një kundërshtar, si Lecce është me 10 lojtarë, në fushën e blertë. “Kuqezinjtë” e Milan kanë treguar “dhëmbët”, mesditën e kësaj të shtune, teksa në “mitikun” e Milanos, “San Siro” mundën me rezultatin e thellë, 3 me 0, skuadrën e Ylber Ramadanit, në përballjen e vlefshme për javën e 31-të, të Serie A.

Gjithçka mund të thuhet se e u zgjidh në pjesën e parë, teksa fillimisht Christian Pulisic e Olivier Giroud shënojnë dy gola të shpejtë, në minutat 6’ e 20’, për të siguruar avantazhin e dyfishtë, ndërsa në minutën e 45’-të, “bomberi” i Lecce, Nikola Krstovic u ndëshkua me kartonin e kuq, për t’ia lehtësuar edhe më tej punën “Kuqezinjve”, të cilët gjetën edhe golin e tretë në fraksionin e dytë të lojës, falë “yllit” portugez, Rafael Leao, për të “vulosur” gjithçka.

Falë këtij rezultati, djemtë e teknikut, Stefano Pioli, “blindojnë” edhe më shumë pozitat e tyre, në vendin e dytë të tabelës, teksa tashmë ngjiten në kuotën e 68 pikëve, duke krijuar një shkëputje, prej 9 pikësh, me “Bardhezinjtë” e Juventus, ndërsa skuadra e Lecce mbetet në vendin e 13-të, të tabelës, teksa ka arritur të grumbullojë vetëm 29 pikë. /i.m /abcnews.al

SHIKONI GOLAT:

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!