Rekord vizitorësh në mars, tre muajt e parë të vitit sollën 1.7 milionë turistë të huaj në Shqipëri

schedule10:27 - 6 Prill, 2024

schedule 10:27 - 6 Prill, 2024

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, mbi 1,7 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë ose 59 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Muaji mars shënoi një rekord të ri të flukseve hyrëse turistike prej gati 735 mijë vizitorësh të huaj ose 91% më shumë krahasuar me marsin e vitit të shkuar.

Shifrat i ka bërë publike ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në faqet e saj zyrtare:

“Mbi 1,7  milionë turistë të huaj na kanë vizituar gjatë 3 muajve të parë të 2024-ës. 734 mijë vizitorë të huaj erdhën në Shqipëri gjatë muajit Mars i cili sapo shënjoi një standard të ri në shifra e duhet t’i përgjigjemi me të njëjtin standard në mikpritje”, njoftoi ministrja Kumbaro.

Një ditë më parë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit nga panairi Ndërkombëtar i Turizmit nënvizoi se sfida tashmë nuk janë numrat, por garantimi i standardeve, cilësisë dhe turizmi elitar.

Java që vjen nis me një ngjarje të rëndësishme për turizmin, siç është takimi i 70-të i Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Konferenca e  Investimeve gjatë së cilës do të prezantohet  udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania”. Kjo është hera e parë që Shqipëria pret zyrtarisht një event të Organizatës Botërore të Turizmit.

/abcnews.al/