Frank Lampard ka krijuar një ekip shumë të bukur. Trajneri po u jep besim lojtarëve të rinj te Chelsea. Bllokimi i merkatos ka ndikimin e vet, por ish-mesfushori legjendar i “Bluve të Londrës” po tregon se ka potencial për t’u bërë një trajner i madh.
Djemtë e tij mposhtën 1-2 Watford në transfertë me golat e Abraham dhe Pulisic dhe u ngjitën ne vend të tretë në renditje. Ky ishte suksesi i shtatë rresht jashtë fushe në të gjithë kompeticionet dhe bën që Lampard të barazojë një rekord.
Bobby Campbell kishte arritur 7 fitore rresht jashtë fushe me Chelsea gjatë periudhës shkurt-prill të vitit 1989. Lampard e ka barazuar dhe bëhet trajneri i dytë në historinë e “Bluve të Londrës” që ia del të korrë shtatë suksese radhazi larg “Stamford Bridge”.
Dy ndeshjet e radhës janë kundër Ajaksit dhe Crystal Palace në shtëpi, ndërsa transferta e radhës është në “Etihad Stadium” kundër Manchester City. Dueli kundër ekipit të Guardiolës është shumë i vështirë, por Lampard dhe djemtë e tij do të bëjnë maksimumin për të siguruar suksesin e radhës dhe për të thelluar rekordin. /abcnews.al