Të gjithë qytetarët ,bizneset apo institucionet buxhetore mund të paguajnë me këste faturat e prapambetura të energjisë elektrike. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka prezantuar skemat e quajtura “aktmarrëveshje” për shlyerjen me këste të faturave të energjisë, të papaguara deri në 31 dhjetor 2022, duke siguruar që klientët të marrin mbështetjen e nevojshme për prapambetjet në pagesat e faturave gjatë dhe pas pandemisë.
Kusht është fakti që këta klientë duhet të kenë mbyllur ndërkohë detyrimet e krijuara gjatë vitit 2023 dhe në vazhdim, të cilat duhet të jenë likuiduar përpara lidhjes së aktmarrëveshjes së shlyerjes së debisë. Në vëmendje të kesaj skeme janë vendosur kategoritë vulnerabël,familjarët dhe bizneset e vogla.
Klientët familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët-kryefamiljarë, ose klientët me status të veçantë, mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 1,200 lekë. Ndërsa klientët e tjerë familjarë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 2,800 lekë dhe ata jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste të përcaktuara në bazë të vlerës së debisë.
Nëse do të lidhin një aktmarrëveshje familjarët do të përfitojnë një reduktim kamate 70% kush shlyen njëherësh detyrimin.Po ashtu OSHEE ka vendosur reduktim kamate 100% për biznesin e vogël, nëse paguan njëherësh detyrimin.