TIRANË- Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste janë diskutuar tema të rëndësishme, mes të cilave ligji për Amnistinë Penale dhe çështje të tjera që kërkojnë 84 vota dhe konsensus të gjerë mazhorancë-opozitë në Parlament.
Gazetarja e ABC News, Esiona Konomi, ka zbardhur detaje nga ky takim.
Ajo konfirmoi se mes Gazment Bardhit dhe Bledi Çuçit janë zhvilluar diskutime në parim për miratimin e ligjit për Amastinë Penale, prej të cilit do të përfitojnë rreth 700 të burgosur.
Sipas gazetares, deri nesër kërkohet nga konfirmim zyrtar nga grupit parlamentar i PD-së me qëllimin kryesor, që seancën e së enjtes Amnistia t’i ketë votat dhe të miratohet në Kuvend.
“Është folur për një sërë çështjesh dhe disa prej tyre kërkojnë konsensusin e 84 votave. E para dhe më kryesorja është Amnistia Penale ku do përfitojnë rreth 700 të burgosur. Bisedimet janë në fazën që kërkohet një konfirmim zyrtar nesër nga grupi parlamentar demokrat, para se të votohet pasnesër në Kuvend”, raportoi gazetarja.
Po ashtu, Partia Socialiste ka hequr dorë nga propozimet që të përfitojnë ulje dhe peronat që janë dënuar nga Gjykata Speciale. Kjo u konfirmua edhe nga kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Bledar Çuçi të martën për gazetarët, kur tha se vendimet e GJKKO-së janë “vijë e kuqe” për selinë rozë.
“PS ka hequr dorë nga ulja e dënimit me 1 vit për burrat dhe 1.5 vjet për gratë, që janë hetuar nga SPAK dhe janë dënuar nga Gjykata Speciale”, tha gazetarja Konomi.
Sakaq, Partia Socialiste është pajtuar që të ketë një zgjerim fashe ku do të përfitojnë nga amnistia edhe ato protestues të opozitës, të cilët janë arrestuar dhe dënuar për shkatërrim prone dhe për kundërshtim të policisë.
Gazetarja Konomi thotë se nga kjo lehtësi janë përjashtuar vetëm ata protestues të opozitës, të cilët kanë goditur dhe kanë ushtruar dhunë ndaj uniformave të Policisë së Shtetit.
Të enjten, gjithashtu pritet ngritja e Komisionit Parlamentar kundër Deziformimit, i cili synon të frenojë ndikimin dhe ndërhyrjen e faktorëve të huaj në proceset demokratike të Shqipërisë./ n.m.abcnews.al