Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka marrë pjesë në ekspozitën e piktorit Avni Delvina, “Notre Drame De Tirane” – “Drama Jonë e Tiranës”, dedikuar kauzës së Teatrit Kombëtar.
Kryemadhi e ka ndarë mendimin e saj për ekspzoitën në rrjetet sociale. Teksa vlerëson veprën e Delvinës, Kryemadhi thekson se beteja nuk është vetëm për një godinë por për historinë e saj.
Sakaq, të pranishëm sot në ambjentet e Teatrit Kombëtar ishin edhe figura të tjera të opozitës, mes tyre ish kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PD, Lulzim Basha.
Komenti i plotë i Monika Kryemadhit:
Një ekspozitë që të frymëzon. Në tablotë e krijuara me aq dashuri, vërtetësi dhe të ndërthurura me simbolika aq të veçanta, që vetëm një mjeshtër si Avni Delvina mund t’i japë jetë! Një ekspozitë ku beteja e sotme për teatrin thërret historinë e përbashkët në mbrojtje të vlerave. Kjo nuk është betejë vetëm për një godinë dhe historinë e saj. Kjo është kthyer në një kauzë të qytetarëve përballë barbarëve.
Kjo është kauza e vlerave përballë antivlerave.
Kauza e patriotëve përballë qeveritarëve që për karrigen janë gati të shesin jo vetëm pronën publike, por edhe trojet e shqiptarëve.
Kjo është kauza e njerëzve të lirë përballë autokratit të pashpirt!
Kjo është kauza e identitetit kombëtar përballë oligarkisë qeverisëse, që për fitimet e ditës janë gati të shkatërrojnë historinë e kombit!
Kjo është kauza e dinjitarëve përballë hileqarëve dhe të shiturve për pesë aspra!
Faleminderit Avni Delvina për këtë inspirim që na solle me artin tënd të mrekullueshëm!
Në foto me artistin e madh z. Avni Delvina, organizatoren e ekspozitës znj. Adriana Kalaja dhe znj. Nora Malaj.