VIDEO/ Kolo Muani nderon “Gjelat” përballë Kilit, Bellingham shpëton “Tre Luanët” nga “Djajtë”

schedule23:16 - 26 Mars, 2024

schedule 23:16 - 26 Mars, 2024

Ishin pak a shumë rezultate të pritshme, me “Tre Luanët” e Anglisë, që e kanë mbyllur gjithçka në barazimin, 2 me 2, përballë “Djajve të Kuq”, të Belgjikës, në sfidën e “mitikut”, të Londrës, “Wembley”, ndërsa “Gjelat” e Francës arritën një fitore të ngushtë, 3 me 2, ndaj Kilit, Kombëtare që vetëm pak ditë më parë mundi “Legjionarët” tanë, me shifrat, 3-0.

Kështu, djemtë e Gareth Southgate nuk arritën të siguronin triumfin në praninë e 90 mijë tifozëve, në “teatrin” e “Wembley”, me sfidën, që siç theksuam pak më lartë u mbyll në rezultatin 2 me 2. Dopietës së “fantazistit” belg, Yuri Tielemans iu përgjigjën “bomberi” Ivan Toney, i cili shënoi me 11-metërsh, në minutën e 17’-të, ndërsa në “frymën e fundit” të skuadrës, “ylli” i Real Madrid barazoi gjithçka për tifozët vendas.

Në krahun tjetër, “Galët” e Didier Deschamps mposhtën në “Stade Velodrome”, të Marsejës, “La Roja”-n latine, të Kilit, jo me pak vuajtjes. Të parët shënuan miqtë amerikano-jugorë falë Nunes në minutën e 6’-të e më pas nisi furia “tri kolore”, me Fofana, Kolo Muani e Olivier Giroud, që shënuan nga një gol, për ta nxjerrë të pavlefshëm golin e Osorio, duke e mbyllur sfidën, në 3 me 2.

Pas këtyre sfidave, Kombëtaret evropiane do të bëhen gati për miqësoret e qershorit, aty ku Franca do të ndeshet me Austrinë e Holandën, Belgjika me Malin e Zi dhe Luksemburgun, Anglia me Bosnje Hercegovinën dhe Islandën, në testet finale para Euro 2024, ndërsa “La Roja” kiliane do të ndeshet me Perunë, Argjentinën e Kanadanë, para fillimit të Kupës së Amerikës. /i.m /abcnews.al

SHIKONI GOLAT

Francë 3 – 2 Kili

Angli 2 – 2 Belgjikë