Emre Can dhe Juventusi me shumë mundësi do t’i ndajnë rrugët në muajin janar. Mesfushori gjerman e mori goditjen e parë kur u la jashtë listës në Champions League, ndërkohë që hapësirat për të kanë qenë shumë të pakta edhe në kampionat. Mund të luajë sonte titullar në derbi, por nuk është se situata e tij ndryshon.
Katër ndeshje të luajtura në Serie A dhe vetëm njëra prej tyre si titullar. Këto shifra flasin vetë. Mesfushori 25-vjeçar ka pasur një takim me menaxherin e tij së fundmi dhe normalisht ai po punon që t’i gjejë një ekip tjetër, ku gjermani do të ishte pjesë e rëndësishme e formacionit.
Emre Can kërkon të jetë në Europian me Gjermaninë dhe për këtë i duhet të luajë. Momentalisht rrezikon shumë dhe për të ka dy opsione për të ardhmen. PSG po e kërkon sërish, ndërkohë që edhe Manchester United është vënë në ndjekje të tij. Kalimi te “Djajtë e kuq” normalisht nuk do të pritej mirë te tifozët e Liverpool. Mesfushori për katër sezone ka luajtur me “The Reds” dhe dihet rivaliteti mes këtyre dy klubeve në Angli. /abcnews.al

