Të marrësh një kompliment nga Jurgen Klopp është gjithmonë kënaqësi e madhe, aq më tepër kur je në fillimet e një karriere që premton shumë. Arsenali ka në duar një talent të madh që quhet Gabriel Martinelli.
18-vjeçari me origjinë braziliane dhe pasaportë italiane shënoi një dygolësh në sfidën spektakolare të Carabao Cup mes Liverpool dhe Arsenal, që përfundoi në barazim 5-5. “The Reds” u kualifikuan në çerekfinale pas penalltive, por Kloppit i ka mbetur mendja te sulmuesi i “Topçinjve”. Trajneri i Liverpoolit nuk i ka kursyer elozhet për të në një prononcim të dhënë për sajtin e klubit të kuq.
“Gabriel Martinelli është një talent që lind njëherë në 100 vjet, çfarë sulmuesi i jashtëzakonshëm“, është shprehur trajneri gjerman i kampionëve të Evropës. Për Martinellin ka nisur një garë e fortë mes Brazilit dhe Italisë. Të dy kombëtaret e mëdha duan të sigurojnë shërbimet e tij dhe po bëjnë të pamundurën për ta bindur. /abcnews.al