Plani i rritjes së BE mund të dyfishojë ekonomitë e Ballkanit në 10 vite

schedule18:00 - 21 Mars, 2024

schedule 18:00 - 21 Mars, 2024

Nga Majlinda Bregu

Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor punojnë për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në lidhje me krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, BE-ja ofron Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me qëllim afrimin e mëtejshëm të partnerëve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Një nga ambiciet e Planit të Rritjes është avancimi i procesit të anëtarësimit, nxitja e rritjes ekonomike dhe përshpejtimi i konvergjencës socio-ekonomike. Për këtë qëllim, BE-ja do të ofrojë një instrument financiar prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027.

Për rëndësinë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor të BE-së dhe vazhdimin e punës për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, folëm me Majlinda Bregun, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Brenda institucioneve të BE-së po zhvillohet procedura për miratimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Si e vlerësoni rëndësinë e këtij plani për zhvillimin e rajonit dhe procesin e integrimit në BE?
I mbështetur nga një angazhim prej 6 miliardë eurosh në grante dhe kredi, Plani i Rritjes është thelbësor sepse synon të nxisë rritjen ekonomike dhe të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Këto janë thelbësore për avancimin e trajektores së rajonit tonë drejt integrimit në BE, i cili është një objektiv kryesor që ne të gjithë përpiqemi ta arrijmë. Aktualisht, rajoni ynë është dukshëm prapa vendeve anëtare të BE-së për sa i përket treguesve kryesorë ekonomikë dhe do të doja të shpjegoja pse kjo ka rëndësi.

Ndërkohë që Ballkani Perëndimor dëshmoi një rritje të lavdërueshme prej 79% të PBB-së për frymë në periudhën nga viti 2003 deri në vitin 2022, që është pothuajse trefishi i normës mesatare të rritjes së BE-së prej 29%, PBB-ja jonë aktuale për frymë prej rreth 16,000 eurosh është më pak se gjysma e PBB-së së BE-së prej rreth 42,000 eurosh. Kjo statistikë nënvizon qartë rrugën e gjatë që duhet të bëjmë për të arritur konvergjencën e plotë me BE-në. Për ta bërë më të qartë, me ritmet aktuale të rritjes, konvergjenca do të arrihej vetëm deri në vitin 2076, pra pas më shumë se pesë dekadash, një afat kohor që është i papranueshëm si për brezin tim, ashtu edhe për brezat më të rinj.

Këtu futet në lojë Plani i Rritjes, me potencialin e tij të madh. Nëse ekzekutohet në mënyrë korrekte, në thelb mund të dyfishojë madhësinë e ekonomive tona në dekadën e ardhshme. Njoftimi i fundit gjatë një takimi të nivelit të lartë në Shkup në fillim të këtij viti, ku u fol për fillimin e shpërndarjes së fondeve këtë verë, nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë, pasi do të ofrojë mbështetje financiare shumë të nevojshme për një rajon në nevojë të madhe.

Në qendër të Planit të Rritjes është Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i udhëhequr nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Duke u mbështetur në iniciativat e suksesshme tashmë të krijuara brenda CRM-së, Plani i Rritjes është thelbësor për t’i ofruar Ballkanit Perëndimor mundësi për integrim më të afërt me tregun e vetëm të BE-së. Megjithatë, aksesi në tregun e vetëm të BE-së varet nga përmbushja e angazhimeve brenda kornizës së Tregut të Përbashkët Rajonal, i modeluar në vetvete sipas Tregut të Përbashkët të BE-së.

Çfarë përfitimesh mendoni se ka përfshirja e Ballkanit Perëndimor në Tregun e Vetëm të BE-së?

Dihet gjerësisht se integrimi në tregun e vetëm të BE-së ka qenë një katalizator kyç për rritjen ekonomike në vendet që i janë bashkuar BE-së, duke ofruar përfitime të prekshme që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve. Ky trend vlen edhe për rajonin tonë.

Sondazhi vjetor i Barometrit Ballkanik i kryer nga RCC-ja hedh dritë mbi aspiratat e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në këtë drejtim. Kur u pyetën se çfarë do të thotë BE-ja për ju personalisht, tre përgjigjet kryesore tregojnë dëshirën për prosperitet ekonomik (40%), lirinë për të studiuar dhe punuar brenda BE-së (29%) dhe lirinë për të udhëtuar (24%). Këto aspirata përputhen ngushtë me mundësitë që ofron hyrja në tregun e vetëm të BE-së.

Plani i Rritjes shërben si një udhërrëfyes drejt këtij objektivi, duke u përqendruar në shtatë fusha prioritare: lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve; aksesin në zonën e vetme të pagesave në euro; integrimin e tregjeve të transportit rrugor dhe energjisë; zhvillimin e tregut të vetëm digjital; dhe integrimin në zinxhirët e furnizimit industrial. Për shembull, vetëm pjesëmarrja në zonën e vetme evropiane të pagesave mund të sjellë përfitime deri në 500 milionë euro në vit.

Në terma praktike, ndër të tjera, kjo përkthehet në mundësi arsimimi dhe punësimi më të bollshme dhe me cilësi më të lartë, përvoja udhëtimi më të thjeshta dhe më të sigurta, perspektiva të përmirësuara për biznesin, procese të thjeshta, mundësi investimi në rritje dhe eksporte të lehtësuara.

Por ky është një proces i lodhshëm, i cili nuk do të jetë i lehtë për askënd. Tani për tani, administratat përkatëse të Ballkanit Perëndimor janë duke punuar në dy drejtime paralele: së pari, me agjendat e tyre kombëtare të reformave që potencialisht do të çonin përpara rrugëtimin e tyre drejt aksesit gradual në politikat e hyrjes në BE; dhe së dyti, me thellimin e integrimit ekonomik rajonal ndërmjet tyre, i cili është një parakusht për të hyrë në tregun e vetëm të BE-së.

Ndërsa Komisioni Evropian përcakton fushat prioritare për reformat kombëtare, zhvillimi i një Tregu të Përbashkët Rajonal funksional brenda Ballkanit Perëndimor mbetet një punë në progres e sipër. Kjo përpjekje përfaqëson një nismë të vërtetë rajonale, e drejtuar nga vizioni kolektiv i bashkëpunimit dhe integrimit më të ngushtë brenda rajonit gjatë katër viteve të ardhshme. Të dyja këto përpjekje konvergojnë drejt qëllimit strategjik gjithëpërfshirës për asociim më të ngushtë me BE-në dhe tregun e saj të vetëm.

Keni njoftuar se RCC-ja është duke punuar për një Plan të ri Veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM). Si e vlerësoni përmbushjen e planit të mëparshëm të veprimit dhe çfarë do të veçonit si prioritete që duhet të përfshihen në planin e ri të veprimit?

Bashkëpunimi rajonal ka pasur një ndikim të rëndësishëm në të gjithë rajonin tonë, veçanërisht nëpërmjet zbatimit të Tregut të Përbashkët Rajonal. Nga tetori i kaluar tarifat e roamingut me BE-në janë dukshëm më të ulëta, duke e bërë udhëtimin më të përballueshëm për qytetarët tanë dhe duke i kursyer atyre fatura të larta të telefonit. Gjithashtu, janë nënshkruar katër marrëveshje mobiliteti, të cilat mundësojnë njohje reciproke të kualifikimeve profesionale për shtatë profesione, si dhe qarkullim më të lehtë të studentëve në rajonin tonë me procedura më të thjeshta për njohjen e diplomave që prek studentët e më shumë se 70 universiteteve në rajon. Korsitë e gjelbra për të cilat vendet e rajonit ranë dakord gjatë pandemisë mundësuan furnizim të pandërprerë me medikamente dhe ushqime në rajon, ndërsa pas periudhës pas pandemisë po shkurtojnë ndjeshëm kohën e pritjes në pikat kufitare.

Ndërsa rezultatet janë premtuese, ne duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi bashkëpunimit rajonal pasi perspektivat tona të ardhshme janë thellësisht të ndërthurura me të. Suksesi i Tregut të Përbashkët Rajonal varet nga funksionimi i qetë, pa mosmarrëveshje rajonale, pasi ai shërben si një kanal drejt tregut të vetëm të BE-së.

Duke parë përpara, vazhdimi i Planit të Veprimit të CRM-së, të cilit në këtë fazë i drejtohemi si CRM2, duhet t’i japë përparësi masave që forcojnë katër liritë dhe nxisin rritjen e qëndrueshme ekonomike. Kjo përfshin tërheqjen e investimeve të huaja, lehtësimin e tregtisë brenda rajonit dhe ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, avancimin e digjitalizimit, përmirësimin e sektorit të shërbimeve dhe lehtësimin e lëvizjes së njerëzve.

Ne parashikojmë që deri në fund të marsit qeveritë e Ballkanit Perëndimor të identifikojnë fusha të reja potenciale për fazën e dytë. Deri tani, janë organizuar dy takime të nivelit të lartë për të diskutuar përfitimet e Planit të Rritjes, ndërsa takimi i radhës është planifikuar për më 16 maj në Podgoricë.

Pas konsultimeve të gjera me ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, partnerët rajonalë dhe palët e interesit, synimi ynë është që faza e re e Planit të Veprimit të CRM-së të miratohet nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit më 14 tetor. Kjo përpjekje bashkëpunuese nënvizon angazhimin tonë për arritjen e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal për të mirën e të gjithë aktorëve të përfshirë.

Bosnja dhe Hercegovina është ende i vetmi vend që nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për udhëtimin me letërnjoftim. A ka ndonjë tregues se kur do të ratifikohet kjo marrëveshje? Si ndikojnë këto bllokada në punën për krijimin e CRM-së?

Si ndikojnë krizat e brendshme politike në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe problemet rajonale, veçanërisht ngërçi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në procesin e krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal?

Është për të ardhur keq që arritja e konsensusit mund të jetë sfiduese në rajonin tonë, duke pasur parasysh perspektivat tona të ndryshme. Sidoqoftë, është thelbësore të pranohet se megjithëse mund të mos shihemi sy më sy për çdo gjë, ka shumë dakordësi që nuk duhet të lihen në hije nga mosmarrëveshjet.

Në takimin e liderëve në janar në Shkup, dhe më vonë përsëri në Tiranë, është shprehur një konsensus i qartë për rëndësinë e zbatimit të masave të dakorduara pa pengesa. Është thelbësore të sigurohet që marrëveshjet e arritura me vështirësi të mbahen, pavarësisht mosmarrëveshjeve.

Për këtë qëllim, Komisioni Evropian po eksploron në mënyrë aktive mekanizma për të parandaluar bllokimet. Ata që përpiqen të pengojnë përparimin mund ta gjejnë veten në disavantazh, pasi pengimi i progresit rajonal mund të çojë në humbjen e fondeve shumë të nevojshme. Në të kundërt, të tjerët mund të vazhdojnë pa pengesa.

Duke qenë se koha është thelbësore për rajonin tonë, ne nuk mund të përballojmë më ngërçe dhe bllokime të vazhdueshme. Të qëndrosh duarkryq atëherë kur përparimi është i domosdoshëm, vë në rrezik synimet tona. Është jetike që ne të përpiqemi bashkërisht të ecim përpara, përpara se të hasemi me sfida të tjera gjatë rrugës.

Si e vlerësoni rolin e organizatave të shoqërisë civile për promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit më të mirë të rajonit? Sa e rëndësishme është të merren parasysh rekomandimet që shoqëria civile u jep vendeve të rajonit dhe institucioneve evropiane në lidhje me Procesin e Berlinit?

Si Sekretare e Përgjithshme e një organizate ndërqeveritare, sic është RCC-ja, vëmendja ime kryesore është lehtësimi i dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet qeverive brenda rajonit. Ndërkohë që organizatat e shoqërisë civile padyshim luajnë një rol vendimtar për promovimin e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, nuk është në kompetencën time të vlerësoj kontributet e tyre specifike.

Pavarësisht kësaj, unë e pranoj rëndësinë e angazhimit me shoqërinë civile dhe shqyrtimit serioz të rekomandimeve të tyre. Organizatat e shoqërisë civile shpesh ofrojnë njohuri dhe perspektiva të vlefshme që plotësojnë përpjekjet e qeverive dhe institucioneve si RCC-ja. Kontributi i tyre mund të ndihmojë për formimin e politikave dhe iniciativave nën korniza të tilla si Procesi i Berlinit, duke çuar përfundimisht në një bashkëpunim rajonal më gjithëpërfshirës dhe efektiv.

Ndërkohë që mund të mos e vlerësoj drejtpërdrejt rolin e shoqërisë civile, besoj se është thelbësore të nxitet një mjedis ku zëri i tyre dëgjohet dhe rekomandimet e tyre merren parasysh si nga qeveritë rajonale ashtu edhe nga institucionet evropiane të përfshira në iniciativa si Procesi i Berlinit. Bashkëpunimi ndërmjet qeverive dhe shoqërisë civile është jetik për arritjen e synimeve tona të përbashkëta për bashkëpunim dhe integrim më të madh rajonal.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!