Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka paralajmëruar trazira të mundshme në Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen më 8 maj.
Këto trazira, sipas kësaj partie që është pjesë e Qeverisë maqedonase, kanë për bazë një “skenar rus” të koordinuar, siç tha, mes opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase, VMRO-DPMNE dhe partisë, E Majta.
BDI-ja, që drejtohet nga Ali Ahmeti, përmes një deklarate pretendoi se fyerjet, që sipas saj po i bën opozita ndaj kandidatit të saj për president Bujar Osmani, si dhe ndaj kryeministrit me mandat teknik, Talat Xhaferit, bazohen në “mungesën e programit zgjedhor dhe nxitjes e tensioneve për shkak të humbjes në zgjedhje”.
Për këtë “skenar”, BDI-ja tha se ka njoftuar edhe faktorin ndërkombëtar, por në komunikatë nuk saktësohet se për çfarë skenari bëhet fjalë dhe nëse për këtë ka marrë indikacione nga shërbimet e sigurisë të Maqedonisë së Veriut.
“Përshëndesim vendimin e OSBE-ODIHR që zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit t’i përcjellin me 24 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër, pasi vlerësojmë se këto zgjedhje do të jenë vendimtare për të ardhmen e vendit për t’i thënë po Evropës, jo Rusisë”, u tha në reagimin e BDI-së.