Inter në kërkim të një sulmuesi rotacioni, zikaltërit hedhin sytë nga “bomberi” i Serie A

schedule15:21 - 17 Mars, 2024

schedule 15:21 - 17 Mars, 2024

Drejtuesit e Interit janë takuar së fundmi me Marco Sommella, agjentin e Ciro Immobiles, për të diskutuar rreth një transferimi të mundshëm të kapitenit të Lazio gjatë verës.

Gjërat nuk kanë qenë aq të lehta për 34-vjeçarin italian këtë sezon, i cili pësoi disa lëndime dhe një rënie të dukshme të formës, duke bërë që të shënojë vetëm gjashtë gola në 25 ndeshje.

Marrëdhënia e fortë që kishte Lazio dhe Immobile duket se ka filluar të prishet. Ai së fundmi u sulmua dhe u ofendua nga një grup tifozësh teksa ishte jashtë me familjen e tij.

Gazeta italiane “Tuttosport” shpjegon në detaje se si një numër agjentësh ishin parë duke hyrë në një hotel në Madrid të mërkurën, duke mbajtur takim me drejtorin sportiv të Interit, Piero Ausilio.

Interi u takua edhe me agjentin Sommella, ku diskutuan rreth mundësisë së transferimit të Immobile. Zikaltërit po synojnë të përforcojnë fazën e sulmit, pasi kanë për qëllim që të konkurrojnë në disa fronte, duke përfshirë edhe Kupën e Botës për Klube sezonin e ardhshëm./h.ll/abcnews.al